Dogana e Kosovës, përmes një njoftimi në Facebook, bën të ditur se së fundmi ka realizuar një trajnim të specializuar për stafin doganor, me fokus në zbatimin sa më efikas të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Sipas Doganës, qëllimi kryesor i trajnimit ka qenë ngritja e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve doganorë dhe forcimi i rolit të Doganës në parandalimin e hyrjes së produkteve të falsifikuara në tregun e brendshëm.
Siç bëhet e ditur në njoftim, në këtë trajnim morën pjesë edhe përfaqësues të autorizuar të markave të mirënjohura ndërkombëtare si: Lacoste, Gucci, Ariel, Domestos, Head & Shoulders, Nike dhe Apple, të cilët prezantuan nga afër mënyrat dhe teknikat e identifikimit të produkteve të falsifikuara.
“Kontributi i tyre ishte jashtëzakonisht i vlefshëm për ofrimin e njohurive praktike dhe shembujve konkretë nga përvojat ndërkombëtare. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit me përfaqësuesit e markave tregtare, institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe ekonomisë së vendit nga produktet e rrezikshme dhe të paligjshme”, thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës thekson tutje se është e përkushtuar në ngritje të kapaciteteve në fushën e pronësisë intelektuale, duke e përgatitur stafin doganor për zbatim të drejtë dhe luftimin efikas të mallrave të falsifikuara dhe pirate.