23 infermierë përfundojnë trajnimin profesional për zbatimin e procedurave standarde në trajtimin e pacientëve me diabet, hipertension dhe sëmundje të tjera kronike.
Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren ka organizuar një trajnim dyditor për avancimin e njohurive dhe aftësive profesionale të infermierëve në kujdesin ndaj pacientëve me sëmundje kronike jo-ngjitëse.
Trajnimi, me temën “Zbatimi i Procedurave Standarde Operative për infermierët që kujdesen për pacientët me sëmundje kronike jo-ngjitëse në kujdesin dytësor shëndetësor”, u mbajt javën e kaluar dhe mblodhi 23 infermierë e infermiere, me synimin e përmirësimit të praktikave profesionale dhe zbatimit të standardeve të miratuara për kujdesin ndaj pacientëve.
Aktiviteti u realizua në kuadër të Projektit Integrated Health Services (IHS), i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i zbatuar nga Swiss TPH. Projekti mbështet zbatimin e Procedurave Standarde Operative (PSO), të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë, për kujdesin ndaj pacientëve me diabet, hipertension dhe sëmundje të tjera kronike jo-ngjitëse.
Përmes këtij trajnimi, pjesëmarrësit patën mundësi të avancojnë njohuritë profesionale dhe aftësitë praktike për zbatimin e procedurave standarde në kujdesin shëndetësor dytësor.
Trajnimi është akredituar nga Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK), duke u mundësuar pjesëmarrësve përfitimin e 10 pikëve kredituese.
Mbështetja e aktiviteteve të tilla synon ngritjen e kapaciteteve të profesionistëve shëndetësorë, fuqizimin e praktikave profesionale dhe zbatimin e standardeve në shërbimet shëndetësore, me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë dhe sigurisë së kujdesit për pacientët me sëmundje kronike.
Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.