Kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, ka marrë pjesë në ministerialin e organizuar në Luksemburg, ku Kosova zyrtarizoi bashkëpunimin me Qendrën Evropiane për Qëndrueshmëri Demokratike (ECDR).
Zyrtarizimi i bashkëpunimit u bë në kuadër të ministerialit të organizuar nga Irlanda, e cila mban Presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian. Aty morën pjesë ministrat e 27 shteteve anëtare të BE-së, ministri irlandez Thomas Byrne, komisioneri evropian për Demokraci, Drejtësi, Sundim të Ligjit dhe Mbrojtje të Konsumatorit, Michael McGrath, komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos dhe përfaqësues nga Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Ukraina.
Gjatë fjalimit në këtë takim, Zulfaj tha se Kosova është përballur me operacione të huaja informative që kanë synuar zgjedhjet demokratike dhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve. Ai përmendi ndikimin rus në rajon dhe tha se Kosova synon të propozojë e të udhëheqë projekte konkrete në kuadër të kësaj qendre.
“Si shoqëri e lirë dhe demokratike, me mbulim e qasje të gjerë në internet, jemi dëshmitarë të operacioneve të huaja informative që kanë targetuar zgjedhjet tona demokratike dhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve tona”- tha Zulfaj.
Qendra Evropiane për Qëndrueshmëri Demokratike (ECDR) është një nismë e themeluar nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, që synon forcimin e qëndrueshmërisë demokratike në Evropë dhe përballjen me kërcënimet ndaj proceseve demokratike. Përmes projekteve të përbashkëta, Qendra mbështet menaxhimin e krizave, matjen e qëndrueshmërisë demokratike, shkëmbimin e metodologjive dhe standardeve, mbrojtjen e jetës demokratike dhe organizimin e trajnimeve. Bashkëpunimi synon gjithashtu të ndihmojë në identifikimin dhe përballjen me manipulimin e informacionit dhe ndërhyrjet e huaja, të njohura si FIMI (Foreign Information Manipulation and Interference).
Në fjalimin e tij, Zulfaj falënderoi Presidencën irlandeze dhe Komisionin Evropian për përfshirjen e Kosovës në punën e Qendrës, duke kujtuar se në takimin e qershorit në Luksemburg Kosova kishte kërkuar të bëhej pjesë e kësaj nisme.
“Kur u takuam këtu në Luksemburg në qershor, kërkuam të jemi pjesë e kësaj përpjekjeje. Sot jemi të kënaqur që po asociohemi zyrtarisht me të”- tha ai.
Zulfaj përmendi edhe masat që, sipas tij, Kosova ka ndërmarrë për t’u përballur me këto sfida, përfshirë forcimin e sigurisë kibernetike dhe qeverisjes digjitale, zhvillimin e shërbimeve publike digjitale, investimet në edukimin mediatik dhe gazetarinë e pavarur, veçanërisht te të rinjtë.
“Ne kemi ndërmarrë veprime për të forcuar sigurinë kibernetike dhe qeverisjen digjitale, duke ndërtuar shërbime publike të sigurta si eKosova 2.0, duke investuar në edukimin mediatik dhe gazetarinë e pavarur, veçanërisht te të rinjtë, dhe duke zhvilluar mjete praktike për të identifikuar dhe për t’iu përgjigjur manipulimit të informacionit”- tha kryenegociatori.
Sipas tij, anëtarësimi në këtë bashkëpunim do t’i japë Kosovës mundësi të punojë me shtetet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate në projekte për menaxhimin e krizave, matjen e qëndrueshmërisë demokratike, shkëmbimin e metodologjive dhe standardeve të përbashkëta, mbrojtjen e jetës demokratike dhe trajnimin e trajnerëve.
“Por ne nuk synojmë vetëm të marrim pjesë. Kosova do të propozojë dhe do të udhëheqë projekte të reja, sepse përvoja jonë nën presion të vazhdueshëm është e dobishme për të gjithë ne. Për këtë, institucionet tona duhet të kenë mundësi të marrin pjesë plotësisht dhe në kushte të barabarta”- tha Zulfaj.
Ai theksoi se përballja me kërcënimet ndaj demokracisë kërkon identifikimin e tyre dhe bashkëpunim ndërmjet vendeve.
“Qëndrueshmëria fillon me emërtimin e kërcënimit. Nëse qëndrueshmëria jonë është qëndrueshmëria juaj, e kundërta është po ashtu e vërtetë”- u shpreh ai.
Në fjalimin e tij në ministerial, Zulfaj përmendi edhe mediat ruse me bazë në Beograd, përfshirë Sputnik dhe RT Balkan, si dhe të ashtuquajturën Qendër Humanitare Ruso-Serbe në Nish, për të cilën pretendoi se shërben si bazë e inteligjencës ruse.
“Në Nish, më pak se 100 kilometra nga kufiri ynë, gjendet e ashtuquajtura Qendër Humanitare Ruso-Serbe, e cila shërben si bazë e inteligjencës ruse”- tha Zulfaj.
Ai shtoi se Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë, gjatë zgjedhjeve të vitit 2025, kishte identifikuar dezinformata të përhapura nga mediat shtetërore ruse me bazë në Beograd.
Zulfaj përmendi edhe zhvillimet e fundit politike në Serbi, duke kritikuar deklaratat dhe veprimet e disa zyrtarëve serbë lidhur me Kosovën, nderimet shtetërore për një person të dënuar për gjenocid dhe praninë e Milan Radoiçiqit në një tubim fushate pranë djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“Është e çuditshme që, në ditën kur i bashkohemi kësaj Qendre, duhet të ngremë çështjen e mbrojtjes së rajonit tonë nga kërcënimet hibride të një asociuari tjetër në këtë tryezë. Megjithatë, ky është realiteti”- tha Zulfaj.
Ai i lidhi këto zhvillime me atë që e përshkroi si vazhdimësi të politikave të Serbisë nga vitet 1990.
“Është i njëjti aktor, me të njëjtën mendësi, që shkaktoi katër luftëra në rajonin tonë në vitet ’90-ta”- u shpreh ai.
Kryenegociatori tha se pret që bashkëpunimi i ri të ndihmojë në përballjen me kërcënimet hibride dhe ndikimin e huaj në rajon.
“Shpresojmë që kjo Qendër të ndihmojë në kundërvënien ndaj këtyre kërcënimeve dhe t’i ndihmojë qytetarët e fqinjit tonë verior të çlirohen nga robëria vullnetare ndaj Rusisë, të cilën e kanë zgjedhur për ta udhëheqësit e tyre”- tha Zulfaj.
Në fund të fjalimit, ai theksoi se Kosova synon të jetë kontribuuese në këtë nismë evropiane.
“Kosova vjen në këtë Qendër si partner, e gatshme të kontribuojë dhe të ndajë atë që kemi mësuar”- tha ai, duke falënderuar Presidencën irlandeze dhe Komisionin Evropian për mundësimin e bashkëpunimit.
Përmes bashkëpunimit me Qendrën Evropiane për Qëndrueshmëri Demokratike, Kosova synon të marrë pjesë në projekte të përbashkëta për identifikimin dhe trajtimin e kërcënimeve ndaj demokracisë, si dhe të ndajë përvojën e saj me shtetet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate./Kallxo.com