Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit “Prim. Dr. Daut Mustafa” ka vlerësuar se Dita Botërore e Sindromës Down që shënohet me 21 mars është një ditë që përkujton se sa e bukur dhe e çmuar është diversiteti njerëzor.
Kjo datë simbolike, sipas Spitalit, është zgjedhur për të përfaqësuar kromozomin e 21-të të trefishtë dhe paraqet një ftesë për të reflektuar mbi rëndësinë e përfshirjes, dashurisë dhe pranimit.
Ky institucion shëndetësor ka theksuar se të gjithë individët kanë përgjegjësi në këtë drejtim.
“Duke treguar mirëkuptim dhe empati, duke ndarë njohuri dhe duke sfiduar paragjykimet, ne ndërtojmë ura që bashkojnë zemrat tona. Le të festojmë sot dashurinë pa kushte, të cilën njerëzit me Sindromën Down e përfaqësojnë kaq bukur”.
Gjithashtu është bërë apel për gjithëpërfshirje.
“Veshja e çorapeve me ngjyra të ndryshme sot është një simbol i fuqishëm i mbështetjes sonë. Ngjyrat dhe modelet e ndryshme na kujtojnë se çdo njeri është unik dhe i vlefshëm. Le të jetë kjo ditë një kujtesë që përfshirja nuk është vetëm një detyrë — është një mundësi për të pasuruar jetën tonë me dashuri, mirësi dhe gëzim të vërtetë”, përfundon mesazhi i Spitalit të Prizrenit.
Dita Botërore e Sindromës Down ka për qëllim luftimin e paragjykimeve, promovimin e barazisë, si dhe mundësive të barabarta për të gjithë.