Gjykata Speciale në Hagë ka ngritur akuzë të re ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Tani ai akuzohet edhe për vepra penale që lidhen me pengim të drejtësisë. Për të njëjtat vepra, siç ka njoftuar Specialja të premten, janë arrestuar edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj e Fadil Fazliu. Ndërsa për Hajredin Kuçi është lëshuar fletëthirrje për paraqitje.
Siç bëhet e ditur në njoftim, Thaçit që veçse ndodhet në paraburgim i është dorëzuar një fletëarrestim dhe ndaj tij janë ngritur tri akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, tre akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.





