Trupi gjykues në Gjykatën Speciale ka caktuar datën 16 shtator, në ora 10:00, për shpalljen e aktgjykimit në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, thuhet në njoftimin zyrtar të publikuar nga gjykata.
Pas këtij vendimi ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), e cila e ka cilësuar shtyrjen e datës si të padrejtë dhe, sipas saj, poshtërim publik ndaj të akuzuarve.
“Caktimin e 16 shtatorit si raundin e radhës të poshtërimit publik ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, e konsiderojmë të padrejtë dhe të papranueshëm”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Në reagim, kjo organizatë ka pretenduar se procesi gjyqësor është i ndikuar politikisht dhe, sipas tyre, i shërben agjendave të jashtme.
“Ky proces është thjesht në shërbim të politikës së Serbisë dhe aleatëve të saj, me qëllim që ta ulë në bankën e të akuzuarve Luftën Çlirimtare”, thuhet më tej në komunikatë.
OVL-UÇK ka paralajmëruar se, në rast se kërkesat e tyre vazhdojnë të mos merren parasysh, do të ketë edhe veprime protestuese.
Komunikata e plotë:
OVL UÇK, caktimin e 16 shtatorit si raundin e radhës të poshtërimit publik ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit; e konsideron të padrejtë dhe të papranueshëm.
Shtyrjet e njëpasnjëshme, të maskuara si përgjigje ndaj vëllimit dhe kompleksitetit, vërtetojnë atë që kemi theksuar që në fillim: ky proces është thjesht në shërbim të politikës së Serbisë dhe aleatëve të saj, me qëllim që ta ulë në bankën e të akuzuarve Luftën Çlirimtare, ndërkohë që amniston makinerinë gjenocidiale të shtetit fashist serb, duke e shpëtuar nga llogaridhënia.
Asnjë kalendar gjyqësor nuk e rishkruan themelin e lirisë së Kosovës, luftën e drejtë për mbijetesë. Misionin që dikur e kishte EULEX, po e vazhdon me besnikëri Haga, ndërkohë që qasja e disa qarqeve ndërkombëtare, që shpesh deklarohen si partnere të Kosovës, ka krijuar barriera të vazhdueshme ndaj vlerave të Luftës Çlirimtare dhe ka penguar zhvillimin e plotë të vendit tonë.
Kjo situatë nuk mund të tolerohet më.
Rezistenca jonë do të zhvendoset në rrugë përmes protestave, duke mos përjashtuar mundësinë e përshkallëzimit të tyre nëse zëri ynë vazhdon të injorohet.





