Aleanca ka zhvilluar një aktivitet simbolik para hyrjes së objektit të Qeverisë së Kosovës, duke hedhur thëngjill para dyerve të objektit të këtij institucioni, raporton Ekonomia Online.
Sipas Aleancës, ky aksion synon të përcjellë mesazhin për krizën energjetike dhe, siç e cilësojnë ata, “terrin politik” në vend.
Ata kanë lënë në hyrje edhe një pankartë, me mesazhin: “Kurti dhe LVV, nga terri energjetik, në terrin politik”.
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, tha se Kosova gjatë viteve të fundit ka kaluar nga terri energjetik drejt një situate që ai e konsideron terr politik.
“Me Kurtin dhe me Vetëvendosjen, gjashtë-shtatë vitet e fundit Kosova nga një terr energjetik, që e kanë mbajtur, po kalon në terr politik”, deklaroi Ramadani.
Ai tha se simbolika e thëngjillit lidhet me pasuritë nëntokësore të Kosovës, duke kritikuar mungesën e investimeve në sektorin energjetik dhe blerjen e energjisë nga jashtë.
“Mesazhi dhe simbolika e thëngjillit, e qymyrit të Kosovës, është se Kosova edhe më tutje po flen mbi qymyr, por rryma nuk prodhohet këtu”, tha Ramadani.
Sipas tij, një prej pikave kryesore të ofertës gjashtëpikëshe të Aleancës është ndërtimi i një termocentrali të ri në Kosovë.
Ramadani pretendoi gjithashtu se gjatë këtyre viteve rreth një milion euro janë shpenzuar për blerjen e energjisë elektrike nga Serbia dhe vende të tjera, duke thënë se nga kjo situatë, sipas tij, ka përfituar “mafia energjetike”.
“Dhe është e qartë që gjatë këtyre viteve, rreth 1 milionë euro janë blerë rrymë në Serbi e vende të tjera, e prej kësaj ka përfituar askush tjetër përpos mafias energjetike. Në kohët e fundit po shohim se punëtorët të cilët e humbin jetën bashkë duke e nxjerrë këtë qymyr për popullin e Kosovës, dhe nuk ka përgjegjësi as politike, as menaxheriale. E nëse gjatë këtyre viteve ka përfitu mafia energjetike prej territ energjetik, kush po përfiton prej territ politik. Pra është i njëjti koncept, pra e kanë pas, e kanë mbajtë dhe e kanë mirëmbajtë dhe e kanë ushqy terrin energjetik, tash kanë kalu në fazën tjetër që është terri politik”, tha ai.