Analisti Nexhmendin Spahiu ka thënë se rreziku i luftës midis Kosovës dhe Serbisë nuk është shmangur. Sipas tij, nëse palët nuk arrijnë kompromis para marsit, rrezikohet të shkohet në luftë.
I ftuar të martën në emisionin Interaktiv në KTV, Spahiu ka thënë se kjo luftë mund të nisë për shkak se të dyja palët dëshirojnë të tregojnë se e dominojnë veriun, ndërsa Perëndimi mund t’i lë të ndeshen nëse e sheh se nuk po arrijnë marrëveshje.
“Rreziku i luftës së Kosovës dhe Serbisë nuk është shmangur. Të analizojmë njëherë planin franko-gjerman që SHBA-ja dhe BE-ja po e marrin si bazë. Ai është kompromisi ku Serbia do ta njohë Kosovën në këmbim të një autonomie më të madhe të serbëve të Kosovës sesa që e parashikon Ahtisaari dhe Kushtetuta e Kosovës. Por sa do të jetë niveli i kësaj autonomie, kjo është diskutuar që 12 vjet. Ku do të prehet pazari, varet prej situatës në terren andaj rrezikojmë të shkojmë në luftë për shkak se secila palë dëshiron të tregojë se e dominon veriun. Vuçiqi për të treguar se e dominon veriun i ka tërhequr prej institucioneve të Kosovës, Albin Kurti ka dëshmuar që përkundër barrikadave dhe problemeve të tjera, Qeveria e Kosovës mund ta mbajë kufirin dhe t’i kontrollojë pikat kufitare. Mendoj se ka qenë vetëm një armëpushim që e kanë ndërmjetësuar amerikanët, por ky armëpushim nuk domethënë se mund të zgjasë pafundësisht. Nëse palët arrijnë një kompromis para marsit, atëherë edhe mund të evitohet lufta, por nëse Perëndimi sheh që palët nuk janë duke shkuar deri aty, do t’i lënë të ndeshen”, ka thënë ai.





