Ekipi i Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak (CIMIC) i Komandës Rajonale Perëndim (RC-W) të KFOR-it ka dhuruar pajisje mjekësore për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren.
Në ceremoninë e dorëzimit morën pjesë komandanti i Komandës Rajonale Perëndim, kolonel Giuseppe De Blasi, dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.
Dhurimi përfshinte 200 batanije emergjence, nëntë dyshekë spitalorë, një barelë ambulance vetë-shkarkuese, si dhe pajisje të tjera mjekësore.
Sipas njoftimit të KFOR-it, këto pajisje do të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve të QKMF-së për t’u përgjigjur rasteve emergjente dhe për të ofruar kujdes më të mirë për pacientët.
KFOR-i ka theksuar se përmes iniciativave të tilla vazhdon të mbështesë institucionet lokale dhe të forcojë bashkëpunimin me komunitetet në mbarë Kosovën, në funksion të krijimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët.