LAJME

Detajet e Raportit të Progresit për Kosovën

Detajet e Raportit të Progresit për Kosovën
TV Prizreni
TV Prizreni
31 Tetor 2026, 18:11

Shqetësues në raport është edhe gjendja në fushën e energjisë ku ka pasur progres të limituar dhe kjo është pengesë për rritjen ekonomike. Nuk ka pasur progres as në menaxhimin e investimeve publike dhe këtu kërkohen reforma urgjente. Sa u përket kritikave në raport të progresit për funksionimin e institucioneve demokratike ato kanë të bëjnë pikërisht me paralizën institucionale që ka ekzistuar në Kosovë në periudhën që përfshin ky raport.

Raporti i Progresit për Kosovën që do të miratohet të mërkurën më 4 nëntor nuk do ta befasojë askënd pasi ishte e qartë se paraliza e zgjatur institucionale ka pamundësuar edhe progresin e Kosovën në fushën e reformave, përfshirë edhe të atyre të identifikuara nga Komisioni Evropian në raportin e para një viti. KOHA ka pasur qasje në draftin e Raportit të Progresit për Kosovën për këtë vit dhe aty shihet çartë se cilat janë fushat më problematike.

Përveç çështjeve politike dhe institucionale, Komisioni Evropian në këtë raport ka vërejtur mungesë të progresit të duhur në fushën e sundimit të ligjit, progres vetëm të limituar në luftën kundër korrupsionit, një lloj progresi në luftë kundër krimit të organizuar: nuk ka pasur fare progres në lirinë e lëvizjes së mallrave dhe punëtorëve, por ka pasur “progres të mirë” në lëvizjen e lirë të kapitalit. As në politikën e konkurrencës nuk ka pasur progres.

Shqetësues në raport është edhe gjendja në fushën e energjisë ku ka pasur progres të limituar dhe kjo është pengesë për rritjen ekonomike.

“Përkundër përpjekjeve për të diverisifikuar furnizimin me energji dhe përmirësuar efikasitetin, sektori energjetik në Kosovë mbetet pengesë për zhvillimin ekonomikë në Kosovë”, thuhet në draftin e raportit.

Nuk ka pasur progres as në menaxhimin e investimeve publike dhe këtu kërkohen reforma urgjente.

Sa u përket kritikave në Raport të Progresit për funksionimin e institucioneve demokratike ato kanë të bëjnë pikërisht me paralizën institucionale që ka ekzistuar në Kosovë në periudhën që përfshin ky raport. “Funksionimi i institucioneve demokratike ka qenë negativisht i ndikuar nga mungesa e zgjatur e kuvendit funksional dhe vonesat në formimin e qeverisë. Kjo ka dobësuar mbikëqyrjen legjislative dhe ka ngadalësuar implementimin e reformave”, thuhet në tekst.

Kritika edhe Kosovës edhe Serbisë për mospërmbushje të obligimeve nga dialogu

Edhe këtë vit një pjesë e konsiderueshme e Raportit të Progresit për Kosovën i kushtohet procesit të normalizimit të raporteve me Serbinë. E njëjta gjuhë përdoret edhe në raportin për Serbinë. Të dyja vendet qortohen për mungesë të zbatimit më të madh të obligimeve nga dialogu ndërkohë që si arsyetim përmenden “proceset politike të brendshme”.

Kosova kritikohet edhe kësaj radhe për veprime që BE-ja i konsideron të njëanshme dhe pa korordinim e që kanë të bëjnë kryesisht me mbylljen e strukturave “të mbështetura nga Serbia”, siç i quan BE-ja e që në fakt janë struktura të shtetit të Serbisë. Po ashtu nga Kosova përsëritet kërkesa që të nisë procesin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe që konsiderohet nga BE-ja si obligim që ka marrë përsipër Kosova në kuadër të dialogut.

“Nuk ka pasur progres të mëtejmë drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013  dhe marrëveshjes së gushtit të vitit 2015 për parimet e përgjithshme dhe elementet kryesore të themelimit të Asociacionit. Nga Kosova pritet që të nisë procedurën në përputhje me obligimet nga dialogu, përfshirë edhe marrëveshja e Ohrit e vitit 2023. Të dyja palët pritet që të angazhohen në mënyrë konstruktive pa vonesa”, thuhet në draftin e Raportit të Progresit për Kosovën.

Për strukturat të mbështetura nga Serbia në Kosovë, në draft thuhet se duhet të trajtohen sipas marrëveshjeve të dialogut dhe ligjit të Kosovës, e jo me masa të pakoordinuara. BE-ja kërkon që për këto të ketë edhe konsultime të strukturuara me serbët e Kosovës dhe bashkëpunim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun.

Për urën mbi lumin Ibër vlerëson se qëndrimi i BE-së është se ajo duhet të hapet, por nevojitet koordinim më i mirë mes komunave dhe institucioneve qendrore.

Në rastin e Serbisë thuhet se Serbia ka vazhduar të shkelë obligimet nga procesi i dialogut përfshirë edhe përmes lobimit kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, posaçërisht në Këshillin e Evropës dhe në INTERPOL. Sipas draftit, këto veprime dhe retorika e përsëritur nxitëse e zyrtarëve serbë kanë vazhduar të minojnë normalizimin. Serbia kritikohet po ashtu edhe për shkak se nuk ka ndërmarrë asnjë hap të rëndësishëm për të siguruar llogaridhënie për sulmin në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Si në Raportin për Kosovën ashtu edhe në atë për Serbinë përsëritet se dialogu mbetet kusht kyç që të dyja të përparojnë në rrugëtimin e tyre evropian, por normalizimi është kusht edhe për asistencën financiare nga Pakoja e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Në raport përmendet edhe heqja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

“Pas transferimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri të Kosovës pas zgjedhjeve lokale të vitit 2025, Komisioni i hoqi masat ndaj Kosovës që ishin në fuqi nga viti 2023. Si pasojë e kësaj rifilluan edhe asistenca financiare edhe puna e trupave të krijuara nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit”, thuhet në tekst.

Përshtatje e Kosovës me politikën e jashtme të BE-së, e plotë

Edhe pse edhe në të kaluarën Komisioni Evropian kishte përshëndetur faktin se Kosova në mënyrë unilaterale, ndonëse nuk e kishte obligim formal, përshtatej me politikën e jashtme të BE-së, kjo tash është përfshirë në raport edhe në aspektin formal.

“Raporti i këtij viti përfshinë edhe Kapitullin 31 (politika e jashtme, siguria dhje mbrojtja) në mënyrë që të raportohet konvergjenca e Kosovës me politikën e përbashkët të jashtme dhe sigurisë në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit mes BE-së dhe Kosovës”, thuhet në tekst dhe konstatohet se “Kosova ka arritur përshtatjen e plotë me politikën e jashtme të BE-së”.

Për Bashkimin Evropian përshtatja me politikën e jashtme po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në kohën e ndryshimeve globale. Të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor janë 100 për qind të përshtatura me qëndrimet e Bashkimit Evropian në fushën e politikës së jashtme, me përjashtim të Serbisë. Serbia ka vazhduar të mos i përfillë thirrjet e BE-së që të përshtatet me qëndrimet e saj, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me sanksionet ndaj Rusisë.

Në raport përsëritet se Kosova ka vazhduar të dëshmojë përkushtimin për orientimin e saj për integrim në BE dhe se këtë vit është shënuar edhe 10-vjetori i hyrjes në fuqi i marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.

Kosova vazhdon me sfida në fushën e lirisë së shprehjes

Nga Kosova kërkohet edhe përmirësimi i mjedisit për veprimin e mediave dhe respektimit të lirisë së shprehjes.

“Kosova ofron garanci adekuate ligjore për lirinë e shprehjes, por mjedisi zbatues për media të lira, të pavarura dhe profesionale duhet të përmirësohet”, thuhet në tekst. Si problem edhe kësaj radhe përmendet mungesa e transparencës së pronësisë së mediave në Kosovë, por edhe sulmet ndaj gazetarëve, përfshirë edhe nga përfaqësues të qeverisë.

“Këto sulme përfshinë pengimin e punës së tyre nga ana e zyrtarëve të sigurisë, sikur edhe gjuhën e ashpër dhe kritikat drejtuar kundër gazetarëve dhe mediave. Një gjuhë e tillë është përdorur nga zyrtarë të lartë të qeverisë, përfshirë edhe kryeministrin”, thuhet në raport dhe shtohet më tej se “zyrtarët publikë duhet të përmbahen nga retorika e cila ka për qëllim diskreditimin e gazetarëve dhe sulmet apo frikësimi i gazetarëve duhet të dënohen”.

Këto Raporte të Progresit do të miratohen nga Kolegji i Komisionerëve në takimin e të mërkurës me 4 nëntor dhe të njëjtën ditë do të bëhen edhe publike. Raportet përfshijnë periudhën nga shtatori i vitit të kaluar deri në shtator të këtij viti, por janë përditësuar për të përfshirë zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me proceset zgjedhore në disa vende si Serbia dhe me zgjedhjen e presidentes në Kosovë me çfarë u tejkalua edhe kriza politike.

Sa u përket notave që jepen për të vlerësuar nivelin e progresit ato janë nga “prapakthim”, që përmendet kryesisht në rastet e Serbisë dhe Gjeorgjisë, pastaj “pa progres” që është notë zero, “progres i limituar” që është notë e dobët, pastaj “njëfarë progresi” që është pak më mirë, “progres i mirë” që është vlerësim pozitiv dhe “progres shumë i mirë”. Vetëm duke i krahasuar këto vlerësime për secilin vend mund të fitohet përshtypja e duhur se sa pozitiv apo jo është raporti individual i Progresit për ndonjë vend të caktuar në krahasim me vendet tjera nga procesi i zgjerimit./koha.net/

 

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika