LAJME

Kurti i përgjigjet akuza për përfshirjen e LVV-së në protestat në Shqipëri

Kurti i përgjigjet akuza për përfshirjen e LVV-së në protestat në Shqipëri
TV Prizreni
TV Prizreni
31 Tetor 2026, 16:45

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kundërshtuar përpjekjet për ta lidhur Lëvizjen Vetëvendosje me protestat në Shqipëri, duke thënë se partia që drejton është forcë qeverisëse dhe jo protestuese.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë të mbajtur më 31.10.2026, Kurti ka thënë se edhe në kohën kur Vetëvendosje organizonte protesta, përfaqësuesit e saj qëndronin vetë në ballë të tyre.

“Unë kam parë me habi zëra të ndryshëm që janë përpjekur t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta që zhvillohen në Republikën e Shqipërisë, por ne sot jemi forcë qeverisëse dhe nuk jemi forcë protestuese” – ka deklaruar Kurti.

Ai ka shtuar se Vetëvendosje nuk e ka përkrahur veprimin në mënyrë anonime dhe as instrumentalizimin e të tjerëve.

“Nuk e kemi vlerësuar kurrë si të denjë taktikën e hedhjes së gurit e fshehjes së dorës” – ka thënë ai.

Duke folur për zhvillimet në Shqipëri, Kurti ka thënë se protestat qytetare, sipas tij, kishin qenë paqësore për rreth katër muaj, ndërsa në tetor kishte pasur përplasje më të forta mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Ai ka deklaruar se zhvillimet atje i përcjellin me shqetësim, kujdes dhe përgjegjësi, duke e cilësuar përparimin demokratik të Shqipërisë si përgjegjësi historike kombëtare.

Kurti ka thënë se nuk kishin pasur rast të flisnin për këto zhvillime për shkak të fushatës dhe zgjedhjeve të qershorit, si dhe tensioneve që, sipas tij, kishin vazhduar deri te zgjedhja e presidentes më 6 tetor.

Në fjalën e tij, kryeministri ka theksuar se Kosova nuk e sheh Shqipërinë si rivale.

“Ne jemi në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë rivale e motrës së saj” – ka deklaruar Kurti.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika