LAJME

Sot shënohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit

Sot shënohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit
TV Prizreni
TV Prizreni
7 Mars 2026, 07:30

Sot në Kosovë dhe në të gjitha trevat shqiptare shënohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit, një ditë e veçantë kushtuar mësimdhënësve dhe kontributit të tyre në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.

Kjo datë lidhet me një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e arsimit shqiptar. Më 7 mars 1887 në Korçë u hap Mësonjëtorja e parë shqipe, e drejtuar nga Pandeli Sotiri, duke shënuar fillimin e arsimit në gjuhën shqipe në një kohë kur mësimi i saj ishte i ndaluar gjatë sundimit osman. Në këtë shkollë kontribuuan edhe figura të njohura të Rilindjes Kombëtare shqiptare, si Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi dhe Thoma Avrami.

Hapja e kësaj shkolle u konsiderua një hap i madh për përhapjen e dijes dhe forcimin e identitetit kombëtar shqiptar. Që nga ajo kohë, 7 Marsi festohet si simbol i arsimit shqip dhe i përkushtimit të mësuesve për edukimin dhe zhvillimin e shoqërisë.

Edhe pse këtë vit 7 Marsi bie në fundjavë, kjo ditë shënohet çdo vit në mënyra të ndryshme për të nderuar mësuesit dhe kontributin e tyre në shoqëri. Në shkolla dhe institucione arsimore zakonisht organizohen aktivitete simbolike, ndërsa nxënësit dhe qytetarët shprehin mirënjohjen e tyre për mësimdhënësit përmes urimeve dhe mesazheve falënderuese.

Dita e Mësuesit mbetet një moment i rëndësishëm për të vlerësuar rolin e mësimdhënësve, të cilët me përkushtim dhe sakrificë vazhdojnë të kontribuojnë në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika