Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia një ditë më parë bëri të ditur se nga e hëna, më 27 shtator do të hyjnë në fuqi masat e reja lehtësuese kundër COVID-19.
Vitia tha se masat pritet të miratohen të premten në mbledhjen e Qeverisë.
“IKSHPK konstaton se situata epidemiologjike me COVID-19 aktualisht shënon rënie të rasteve të reja pozitive dhe numrit të vdekjeve por megjithatë është akoma jo stabile, duke pasur parasysh se varianti Delta është dominues në qarkullim në Kosovë. IKSHPK përkundër situatës rekomandon vigjilencë dhe vazhdimin e disa masave në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e COVID-19”, deklaroi ministri.
Megjithatë, Vitia tha se duke pasur parasysh se një numër i madh i qytetarëve janë vaksinuar, atëherë një pjesë e masave do të jenë në ketë drejtim:
– Institucionet shtetërore dhe institucionet private detyrohen të paraqesin certifikatën e vaksinimit para hyrjes ku operojnë, përfshirë: Qendrat tregtare; Call center; Gastronomia në ambientet e brendshme; Dhe të gjithë punonjësit në institucionet publike dhe private që kanë punë me palë.
– Shkollat dhe çerdhet do të hapen nga dita e hënë, 27 shtator (maksimumi i nxënësve do të jetë 20).





