Sot në objektin e Gjykatës Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca edhe për dy të pandehurit pjesë e grupit terrorist serb në Banjskë, të cilët të dielën sulmuan Policinë e Kosovës, e për pasojë u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Ndryshe mbrëmë Gjykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar masën paraburgimit për të arrestuarin Vlladimir Toniq, i dyshuar për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka mbajtur seancën dëgjimore në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ( QKUK), duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit V.T, i dyshuar për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 126 i KPKS – së dhe kryerja e veprave terroriste nga neni129 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.





