Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka arritur mbrëmë në Tiranë, ku sot do të pritet në takim nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Tashmë është bërë e ditur edhe agjenda për ditën e sotme, ku pas takimit kokë me kokë pritet të ketë edhe një takim bilateral mes dy delegacioneve, atij ukrainas dhe delegacionit shqiptar.
Ky takim sipas agjendës është parashikuar të fillojë në orën 9:30 dhe do përfundojë me firmosjen e një marrëveshje.
Ndërsa, në orën 11:00 pritet që liderët të mbërrijnë në pallatin e Kongreseve ku do të zhvillohet më pas Samiti.
Në Samitin e parë mes Ukrainës dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor që mbahet në Tiranë, e pranishme do të jetë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo është konfirmuar për Klan Kosova nga presidenca.
Ndërkohë, pak ditë më parë në një mesazh në platformën “X”, kreu i shtetit të Ukrainës vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës dhe shprehu padurimin për një të ardhme më të sigurt për gjithë Evropën.
Shqipëria ka vendosur disa sanksione ndaj Rusisë, ndërsa ka dënuar luftën e saj në Ukrainë.