21 qershori njihet ndryshe si “solstici i verës” dhe si dita më e gjatë e vitit. Fjala solstic rrjedh nga latinishtja: sol (“diell”) dhe sistere (“qëndrimi i palëvizshëm”).
Solsticet, së bashku me ekuinokset, janë të lidhura me stinët, të korrat dhe jetesën. Prandaj, shumë kultura festojnë kombinime të ndryshme të solsticeve, ekuinokseve dhe pikave ndërmjet tyre, duke sjellë festa që lindin prej këtyre ngjarjeve.
Duke pasur parasysh se solsticet dhe ekuinokset simbolizojnë pjellorinë e tokës, sistemet e prodhimit bujqësor dhe ushqimor, trashëgiminë kulturore dhe traditat e tyre mijëravjeçare; Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pranoi se kremtimi i këtyre ngjarjeve është një mishërim i unitetit të trashëgimisë kulturore dhe traditave shekullore, dhe më tej luan një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve midis popujve mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe idealet e paqes dhe të fqinjësisë së mirë. Prandaj, OKB e njohu 21 qershorin si Ditën Ndërkombëtare të Festimit të Solsticit.





