Gjatë këtij viti, në gjithë territorin e Kosovës është planifikuar që të mbillen rreth 80 mijë hektarë me drithëra. Vetëm me kulturën e grurit është paraparë që të mbillen rreth 70 mijë hektarë. Këto shifra përafërsisht, kanë përcjellur të mbjellat vjeshtore në Kosovë për disa vite rresht. Por, a do të mjaftojë kjo sipërfaqe e mbjellur për nevojat e konsumit kosovar këtë vit, dhe si do të ndihmohen bujqit, kultivues të grurit, pas shtrenjtimit të grurit në përgjithësi, naftës e plehrave artificiale?
Muaji tetor në sektorin e bujqësisë, rëndom njihet si muaji kur fillohet me mbjelljet vjeshtore. Me të hyrë në këtë muaj, tashmë në Kosovë veq kanë filluar përgatitjet e para për mbjelljet e kulturave vjeshtore për këtë vit.
Nga Ministria e Bujqësisë kanë njoftuar se këtë vit është paraparë që të mbillen rreth 80 mijë hektarë me kulturat vjeshtore si: gruri, elbi, thekra dhe bimët foragjere. Prej gjithë kësaj sipërfaqeje, vetëm me kulturën e grurit është paraparë që të mbillen rreth 70 mijë hektarë.
“Edhe këtë vit parashihen të mbillen rreth 70 000 ha me grurë, sipërfaqe përafërsisht e njëjta me vitet e kaluara”, kanë thënë nga MBPZHR-ja.
Por, a do t’i plotësojnë nevojat e vendit për grurë këto sipërfaqe të mbjella sivjet?
Gjatë fushatës së sivjetme të korrjeve shirjeve, fermerët në Kosovë patën paralajmëruar se sasia e grurit që u sigurua sivjet nga korrje-shirjet (sipërfaqe përafërisht e njëjtë me atë që planifikohet të mbillet sivjet), nuk do të jetë e mjaftueshme për nevojat e popullatës.
Kështu, sipas njohësve të ekonomisë bujqësore në Kosovë, nevojat e popullatës për grurë në Kosovë zakonisht plotësohen vetëm 50 për qind, kurse përqindja tjetër e konsumit kryesisht plotësohet nga importi.
Si rrjedhojë, mësohet se Kosova përveç mungesës së plehrave dhe preparateve tjera bujqësore, nuk ka as farëra të mjaftueshme vendore për mbjelljen e kulturave vjeshtore.
Sipas MBPZHR-së, Kosova i plotëson kushtet me farëra vendore vetëm 15 për qind, kurse sasia tjetër gjithmonë sigurohet nga importi. Vendet kryesore nga ku Kosova importon më së shumti farë të grurit dhe të drithërave tjera vjeshtore janë: Serbia, Kroacia, Hungaria dhe vendet e tjera.
Ndërkohë, plehrat artificiale importohen kryesisht nga: Italia, Greqia, Austria, Serbia e Shqipëria. Ndërsa sa i përket sasisë së mjaftueshme të plehrave, nga ministria thonë se akoma është duke u furnizuar tregu vendor, dhe sipas përfaqësuesve të subjekteve importuese do të ketë sasi të mjaftueshme.
A do të subvencionohen sërish bujqit për këto kultura bujqësore nga ministria?
Sa i përket subvencionimit, Ministria e Bujqësisë ka paralajmëruar se do ta vazhdojë njësoj si gjatë vitit të kaluar mbështetjen e saj për fermerët për mbjelljet vjeshtore, si kulturën e grurit, elbit dhe thekrës përmes Programit për Pagesa Direkte.
“Edhe këtë vit Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të mbështesë (subvencionojë) fermerët për mbjelljet vjeshtore (kulturën e Grurit, Elbit dhe Thekrës) përmes Programit për Pagesa Direkte”, thuhet në përgjigjet e ministrisë.
Subvencionet sivjet kapën vlerën e 474 eurove për hektar, përfshirë këtu edhe shpenzimet për pleh dhe naftë.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë në Kosovë, përkatësisht Programit për pagesat direkte 2021, për një hektar sipërfaqe të kultivuar me grurë, fermerët e Kosovës janë subvencionuar me 150 euro.
Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti, pati marrë vendim që fermerëve dhe bujqve t’iu subvencionohet edhe nafta në vlerë prej rreth 5 milionë euro. Subvencionimi u bë në vlerën prej rreth 0.36 centë për litër naftë, të përllogaritur me hektarë të poseduar të tokës së punuar.
Ndryshe, afati optimali mbjelljeve vjeshtore është nga data 8 tetor deri në mesin e muajit nëntor, por mund të vazhdohet me mbjellje deri në fund të muajit nëntor, mirëpo me sasi të shtuar të farës për mbjellje./Buletini Ekonomik