Dy ditë pas tensioneve në veri të vendit, Policia ka njoftuar se situata në këtë zonë të Kosovës është e qetë.
Zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani, ka thënë për KOHËN se policia po zhvillon aktivitetet e saj si zakonisht dhe se ka lëvizje të zakonshme të qytetarëve.
“Aktivitetet policore po zhvillohen normalisht dhe nuk ka pasur ndonjë incident”, ka thënë ai.
Të premten në mesditë, mes tensionesh, kryetarët e rinj të tri komunave në veri të Kosovës – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok – kanë hyrë në objektet komunale, një ditë pas betimit.
Është nevojitur ndërhyrja e Policisë për t’i larguar protestuesit dhe barrikadat para objekteve komunale, që t’u mundësohet kryetarëve të hyjnë në objektet komunale.
Situata është tensionuar dhe Policia është përballur me shok-bomba e të shtëna armësh nga protestuesit./Koha.net/