Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka paralajmëruar veprime sindikale, pasi ka thënë se Qeveria ka injoruar thirrjet për dialog social mbi kërkesat e punëtorëve në vend.
Në maj, një letër për nisjen e ndërmjetësimit mes Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Qeverisë së vendit i pati shkuar kryeministrit Albin Kurti. Yll Zekaj, ndërmjetësues i licencuar, pati kërkuar në emrin e BSPK-së nga Kurti që të konfirmojë interesimin për fillim të ndërmjetësimit në tri kërkesat e BSPK-së. Megjithatë, kryeministri nuk i është përgjigjur kërkesës dhe sindikatat kanë thënë se me këtë Qeveria ka pamundësuar dialogun social.
Sindikalistët e Kosovës po kërkojnë vazhdim të pagesës prej 100 euro për çdo muaj deri në fillim të zbatimit të Ligjit të Pagave, në të cilin kanë kërkuar të merren parasysh propozimet e Federatave Sindikale anëtare të BSPK-së; fillimin e zbatimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor; dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, konkretisht për pikën që kërkon 15 vjet kontribut në skemat pensionale para vitit 1999.
Kohë më parë sindikalistët protestuan duke përsëritur kërkesat. Pati edhe greva njëorëshe. Në vazhdimësi krerë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës, një prej sindikatave më të fuqishme në vend, kanë paralajmëruar se grevat njëorëshe të javëve më parë duhet të shihen si alarm shtesë për Qeverinë se do të ketë greva të mëdha deri në realizim të kërkesave. Si hap i fundit para grevave shihej ndërmjetësimi.
Në një njoftim për media, pas mbledhjes së Kryesisë Ekzekutive të BSPK-së të enjten, sindikatat kanë thënë se për shkak të ngecjes së dialogut, “nuk mbetet rrugë tjetër veç se të nisen përgatitjet e veprimeve sindikale”.
“Prandaj, Kryesia Ekzekutive e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshëm vendosi që të gjitha Federatat dhe Shoqatat sindikale anëtare të BSPK-së nga sot t’i hynë përgatitjeve të veprimeve sindikale me qëllim të mbrojtjes së të drejtave që qojnë drejt përmirësimit të gjendjes ekonomike e sociale të të punësuarve, pasi që në të gjithë sektorët, në atë të arsimit, të shëndetësisë, të policisë, të administratës e edhe në sektorët e tjerë gjendja veç sa e po vështirësohet dhe pa një dialog të mirëfilltë social nuk mund të dilet nga kjo situatë e ku roli i partnerit Social – Qeverisë është tejet i rëndësishëm”, thuhet në njoftim.