Të martën e 21 qershorit në Bruksel u arrit marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë për udhërrëfyesin rreth zbatimit të “Marrëveshjes për Energji” të vitit 2013-të dhe 2015-të.
Përmes këtij udhërrëfyesi, ishte paraparë edhe licencimi i një kompanie me prejardhje nga Serbia që do të bënte shpërndarjen dhe faturimin e energjisë elektrike në veriun e Kosovës.
Tre ditë më pas, më 24 qershor Zyra e Rregullatorit të Energjisë e licencoi kompaninë “Elektrosever”, faturimin dhe inkasimin e rrymës të cilët qytetarët e veriut do ta paguajnë.
Fillimi i pagesës së rrymës në këtë pjesë të Kosovës u mirëprit edhe nga zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku.
Ai e sheh si shumë të nevojshme një marrëveshje të tillë.
Sadiku thotë për Klankosova.tv se shpreson që kjo do të jetë edhe shenjë për nomalizimin e gjendjes edhe në veri.
“Unë personalisht, por edhe si përfaqësues i komuniteteve jo shumicë në komunën veriore të Mitrovicës ,marrëveshjet i cilësoj të nevojshme dhe njëherit të dobishme, pavarësisht vonesës, unë e konsideroj të mirëseardhur këtë marrëveshje.Shpresoj se këto janë shenjat marrëveshjen finale dhe për normalizimin e gjendjes edhe në veriun e Kosovës. Flas nga prizmi qytetar, Pas 23 vitesh të flitet e të bëhet temë çështja e pagesës së energjisë elektrike është absurditet në vete. Qytetarët e Komunës veriore të Mitrovicës duhet të kenë trajtim të barabartë si gjithë qytetarët tjerë të Republikës. Shpresoj dhe besoj se qytetarët e veriut do të trajtohen dinjitetshëm, si dhe temat në të ardhmën duhet të jenë temat nga prizmi i të drejtave dhe obligimeve qytetare,të barazisë, drejtësisë dhe mundësisë për zhvillim”- deklaroi ai.
Numri dy i Kuvendit në veri të Mitrovicës shton se mospagesa e energjisë elektrike përmbi dy dekada në atë pjesë ka qenë i gabuar.
“Gjithë qytetarët e komunave veriore janë përfitues. Ideja se energjia elektrike nuk është paguar ka qenë shumë e gabuar. Energjinë elektrike të shfrytëzuar ndër vite në komunat veriore është paguar nga faturat e rrymës të tatim paguesve të komunës Jugore të Mitrovicës, e në një periudhë tjetër edhe faturat e rrymës së tatimpaguesve nga mbarë Kosova, shto këtu edhe nga tatimpaguesit e Unionit Evropian, nga tatim paguesit e Amerikës , Turqisë e shteteve tjera mike që ndihmuan dhe ndihmojnë Kosovën. Mospagesa i ka pamundëesuar qytetarët të të gjitha komuniteteve në veriun e Kosovës që të kërkojnë dëmshpërblime nga pasojat e shkaktuara nga rryma. Shto këtu edhe abuzimet dhe keqëpërdorimet me rrymë si dhe mos kursimi i rrymës. Tash me faturimin dhe pagesën do të ketë edhe shërbime më cilësore dhe ekonomizim të rrymës”.
Skender Sadiku, tha për Klankosova.tv se shumica e shqiptarëve në veri pajtohen që energjia elektrike të paguhet.
“Disponimi është i përzier, tek disa ka hezitime, por shumica dërmuese janë të pajtimit që për energjinë e shfrytëzuar duhet të paguhet, duke besuar se kjo do të mundësoj shërbime më cilësore dhe se kjo do të kthehet në të mirën e të gjithë qytetarëve”.
Se a do të përfitojnë qytetarët e pjesës veriore njëjtë po mendon edhe Qerkin Veseli, i cili është shef i Zyrës për Komunitete në fshatin Qabër.
Veseli në një intervistë për Klankosova.tv tha se duhet së pari të shihet se si po zbatohet marrëveshja në terren.
Ai theksoi se në këtë marrëveshje duhet të shikohet edhe mundësia e punësimit të të rinjve.
“Mendoj se marrëveshja është në funksion të stabilizimit të rrjetit energjetik në pjesën veriore pas 23 vjetësh. Sa i përket përfitimeve të banorëve mendoj se duhet të pritet zbatimi i marrëveshjes në terren. Një gjë është e sigurt se përfitimi i banorëve do të jetë edhe mirëmbajtja e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në vendbanimet e banuara me shqiptarë” – tha Veseli.
“Përfitimet e tjera do t’i shohim kur të fillojë implementimi i marrëveshjes në terren si dhe mundësia e punësimit të të rinjve”.
Shef i Zyrës për Komunitete në fshatin Qabër shtoi se beson se banorët janë të gatshëm që ta paguajnë rrymën sikur në pjesën e tjera të Kosovës.
“Mendoj se duhet të presim edhe të shohim a kemi ndonjë alternativë tjetër dhe a kemi mundësi që të zgjedhim operatorin për furnizim me energji elektrike. Kurse sa i përket pagesës se banorët janë të gatshëm të paguajnë për energjinë e shpenzuar sikurse pjesët e tjera të Kosovës” – tha ai.
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka quajtur arritjen e marrëveshjes si një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve mes të dyja vendeve.
Në anën tjetër kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se i erdhi fundi padrejtësisë për pagesën energjisë.
Ndërkaq përfaqësuesit e opozitës deklaruan se Lëvizja Vetëvendosje po pajtohet me marrëveshjen të cilën sipas tyre e kishte kritikuar një kohë të gjatë.