Peripecive dhe mundimeve të shumta që kishin lojtarët, shtabi teknik dhe drejtuesit e klubit futbollistik “ Opoja” nga Dragashi për vite me radhë, me sa duket iu ka ardhur fundi, pasi në seancën e sotme, Asambleja Komunale unanimisht ka votuar që ky klub të bëhet me stadium në fshatin, Blaç.
Një gjë e tillë është mirëpritur nga anëtarët e këtij klubi sportiv i cili garon në ligën e tretë të futbollit të Kosovës, pasi nuk ia doli që të triumfoj në ndeshjen vendimtare për inkuadrim në një rang më të lartë garash, pasi ishte mposhtur në ekzekutimin e penalltive nga skuadra “ Australia” nga Mitrovica.
Ndryshe, me 25 vota pro asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi Komunal i Dragashit, ka votuar për ndërtimin e stadiumit në fshatin Blaç të zonës së Opojës. Për ndërtimin e këtij stadium, komuna e Dragashit do të ndajë 50.000 euro, ndërsa një pjesë tjetër do të sigurohet nga donatorë të KF “Opoja” dhe Federata e Futbollit të Kosovës.