Mungesa e të dëmtuarit Artur Mrasori, ka bërë që të dështojë seanca gjyqësore e paraparë të mbahet të premten në rastin ndaj Iran Badallit dhe Arben Gashit që po akuzohen për rastin e shpërthimit në Zhur ku kishte vdekur polici Sami Thaqi.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi ka bërë të ditur se përfaqësuesi i të dëmtuarit Artur Mrasori avokati Besnik Berisha ka njoftuar se i mbrojturi i tij ndodhet për mjekim jashtë vendit, raporton “Betimi për Drejtësi”
Gjyqtarja Skenderi, me aktvendim ka vendosur që seanca e ardhshme do të mbahen më 17, 23 dhe 27 shtator 2021 nga ora 10.
Ndryshe sipas dispozitivit I të Aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të akuzuarit Iran Badalli dhe Arben Gashi akuzohen se me anë të eksplozivit kanë shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, që ka rezultuar me vdekjen e një personi, lëndimeve të rënda dhe të lehta trupore të personave të tjerë.
Sipas aktakuzës, dy të pandehurit kah fillimi i muajit janar 2020 në Prizren janë furnizuar me mjet eksplodues nga i akuzuari Valbon Çollaku, e pastaj te njëjtin e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve ne dhomën e katit të II të shtëpisë të të akuzuarit Iran Badalli ne fshatin Zhur Komuna e Prizrenit dhe pas një kontroll të autorizuar të kësaj shtëpie nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, me dt 28 01 2020 , rreth orës 20:00 , ne kontakt me këtë mjet i njëjti ka eksploduar, ku ka gjetur vdekjen zyrtari policor Sami Thaçi kurse policët tjerë të Njësitit gjegjës – te dëmtuarit Artur Mrasor, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Byrtyqi kanë ka pësuar lëndime te rënda trupore si dhe fëmija S.B po ashtu ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Me këto veprime sipas Prokurorisë të akuzuarit kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 parag 5, 4 dhe 1 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa në dispozitivit II të aktakuzës thuhet se në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar me përafërsisht si ne pikën I të dispozitivit të aktakuzës , në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, përveç eksplozivit të lartcekur të shpërthyer, kanë pasur të fshehur edhe eksplozivin e mbetur TNT, peshe prej 809.1 gr dhe një detonator mekanik në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 cm.
Kësodore të akuzuarit në bashkëkryerje kanë konsumuar veprën penale mbajtja në pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 parag, 1 e lidhur me nenin 31 të KPRK. /BetimipërDrejtësi