Kryeinspektori i Inspektoratit Qendror të Punës (IQP) Hekuran Nikçi, ka bërë të ditur në një intervistë për Ekomomia Online, se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë shqiptuar 787 gjoba për subjektet juridike që kanë shkelur të drejtat e punëtoreve.
Ai ka thënë se në këtë periudhë janë inspektuar 5,960 subjekte juridike. Sipas tij, gjobat më të mëdha të shqiptuara janë në lidhje më marrëdhënien e punës, ndërkaq sa i përket sektorëve, më së shumti gjoba ka në sektorët e ndërtimtarisë, gastronomisë dhe të prodhimit.
“Për janar-qershor të këtij viti 2024, IQP-ja ka inspektuar 5, 960 subjekte juridike që i bie 2,285 më shumë se për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Përgjatë kësaj periudhe Inspektorati Qendror i Punës ka shqiptuar 787 masa ndëshkimore apo gjoba apo që i bie 385 gjoba më shumë se për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar 2023. Marrëdhënia e punës është ajo për të cilën Inspektorati i Punës shqipton gjoba më së shumti, do të thotë që buron nga ligji i punës”, ka thënë Nikçi për EO.





