LAJME

Shiroka-Pula takon drejtorin e Institutit Republikan Ndërkombëtar: Konsolidimi i demokracisë kërkon institucione funksionale dhe gjyqësor të pavarur

Shiroka-Pula takon drejtorin e Institutit Republikan Ndërkombëtar: Konsolidimi i demokracisë kërkon institucione funksionale dhe gjyqësor të pavarur
TV Prizreni
TV Prizreni
11 Nëntor 2026, 13:19

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka theksuar rëndësinë e funksionimit të institucioneve demokratike, respektimit të rendit kushtetues dhe pavarësisë së gjyqësorit.

Këto qëndrime ajo i shprehu gjatë takimit me drejtorin e lartë për Evropë dhe Euroazi në Institutin Republikan Ndërkombëtar (IRI), Stephen B. Nix, me të cilin diskutoi për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe bashkëpunimin shumëvjeçar me këtë institut.

Sipas njoftimit të Presidencës, Shiroka-Pula theksoi se konsolidimi i demokracisë kërkon institucione funksionale, respektim të ndarjes së pushteteve, pavarësi të gjyqësorit dhe përgjegjësi institucionale.

Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së rendit kushtetues, respektimit të kompetencave të secilit institucion dhe forcimit të besimit të qytetarëve në institucionet e vendit.

Gjatë takimit, presidentja vlerësoi kontributin e IRI-së në avancimin e demokracisë në Kosovë, veçanërisht përmes mbështetjes së partive politike, përmirësimit të organizimit të tyre dhe zhvillimit të komunikimit me qytetarët.

Shiroka-Pula çmoi edhe bashkëpunimin e këtij instituti me Kuvendin e Kosovës, si dhe angazhimin për fuqizimin e rolit të grave në politikë dhe vendimmarrje.

Në takim u diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe IRI-së, me fokus në edukimin demokratik, luftimin e dezinformimit dhe promovimin e debatit politik.

Pjesë e diskutimeve ishin edhe siguria rajonale dhe perspektiva euroatlantike e Kosovës.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika