Organizata EC Ma Ndryshe ka publikuar hulumtimin “Qasja dhe ndërgjegjësimi i nxënësve ndaj riciklimit të mbeturinave“, i cili pasqyron njohuritë, praktikat dhe sfidat me të cilat përballen nxënësit e klasave VIII dhe IX në shkollat e Prizrenit lidhur me ndarjen dhe riciklimin e mbeturinave.
Sipas njoftimit, hulumtimi është realizuar përmes anketimit të nxënësve, me qëllim të vlerësimit të nivelit të ndërgjegjësimit mjedisor, identifikimit të pengesave për riciklim dhe ofrimit të rekomandimeve për përmirësimin e kushteve në shkolla dhe komunitet.
Në njoftim thuhet se gjetjet e hulumtimit nxjerrin në pah një dallim të dukshëm ndërmjet ndërgjegjësimit mjedisor të nxënësve dhe praktikave të tyre të përditshme. Ndërsa, thuhet se 81.3% e nxënësve e konsiderojnë riciklimin shumë të rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit, vetëm 16.4% deklarojnë se i ndajnë rregullisht mbeturinat në shtëpi.
Organizata thotë se një nga sfidat kryesore të identifikuara është mungesa e infrastrukturës së përshtatshme për riciklim.
“Rreth 79.9% e nxënësve kanë theksuar nevojën për kontejnerë të veçantë për ndarjen e mbeturinave. Megjithatë, rezultatet tregojnë gatishmëri të lartë për ndryshim, pasi 72% e nxënësve janë shprehur se do t’i ndanin rregullisht mbeturinat nëse pranë shtëpive ose shkollave të tyre do të kishte kontejnerë të përshtatshëm. Po ashtu, 78.8% e nxënësve vlerësojnë se shkollat duhet të përfshihen më shumë në edukimin dhe aktivitetet për riciklim.” – thekson EC Ma Ndryshe.
Sipas EC-it, këto gjetje tregojnë se ndërgjegjësimi dhe gatishmëria e nxënësve për riciklim nuk shoqërohen gjithmonë me mundësi të mjaftueshme për ta zbatuar atë në praktikë. Përmirësimi i infrastrukturës, sigurimi i grumbullimit të veçantë të mbeturinave dhe fuqizimi i edukimit mjedisor mbeten hapa të rëndësishëm për krijimin e një sistemi më funksional të riciklimit, sipas kësaj organizate.
“Përmes këtij hulumtimi, EC Ma Ndryshe synon të nxisë diskutimin dhe angazhimin e institucioneve përgjegjëse, shkollave dhe komunitetit për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në Prizren. Rekomandimet e paraqitura ofrojnë një bazë për zhvillimin e iniciativave konkrete, përfshirë vendosjen e sistemeve të ndarjes së mbeturinave në shkolla dhe lagje, bashkëpunimin me operatorët e riciklimit dhe organizimin e aktiviteteve edukative për nxënësit.” – njofton kjo organizatë.