Ali Sefaj, nga sindikata e Shërbyesve Civilë të Kosovës, ka thënë se shërbyesit civilë nuk kanë kërkesa të mëdha dhe se ato nuk kanë të bëjnë me çështje monetare.
Në “60 Minuta” të KTV-së, Sefaj ka thënë se ata kërkojnë që statusi i tyre të jetë i definuar me ligj e po ashtu që të përfshihen në grupet punuese, për t’i adresuar kërkesat e tyre.
“Kërkesat e shërbyesve civil nuk janë kërkesa të mëdha, nuk janë kërkesa monetare, ne kemi kërkuar që të drejtat tona, statusi jonë të jenë të definuar me ligj. Ne po kërkojmë që në momentin e fillimit të grupeve punuese të përfshihemi që t’i adresojmë kërkesat tona. Akoma nuk jemi përfshirë në këto grupe punuese. Secili prej nesh, përveç që jemi zyrtar, jemi qytetar dhe ushtar të këtij vendi. Unë i besoj premtimit të kryeministrit, sepse edhe si opozitë ka premtuar dialog social, sot e ka takuar kryetarin e BSPK-së, dhe mënoj se një qeveri social-demokrate duhet t’i hap dyert”, ka thënë Sefaj.
Ai ka thënë se shërbyesit civilë po kërkojnë që të fillojë dialogu social dhe që të trajtohen në mënyrë meritore.
“Ne kemi edhe kërkesa financiare për kategori të caktuar që të bëhet një nivelizim, mirëpo nuk kemi vendosur se duam kaq, se ne nuk duam ta dëmtojmë kuletën e shtetit më shumë se ajo mund të bart. Mirëpo duam që kategoritë për punën e njëjtë, të ketë pagë të njëjtë. Mund të ketë dallueshmëri për rrezikshmërinë, për shtesat që u takojnë dhe duke e marrë aq sa u takon, pa e rënduar kuletën e shtetit. Ne kërkojmë tretman të barabartë me kategoritë tjera”, është shprehur Sefaj.
Sipas tij, paga mesatare e shërbyesve civilë është 400 euro, derisa ka shtuar se është krijuar një opinion publik se nuk punohet në institucione publike, gjë të cilën ai e ka cilësuar të gabuar.
“Ne kemi diskutuar për disa çështje që lidhen me të drejtat tona, mandatet, pushimet, sigurinë në punë, rrezikshmërinë në punë dhe çkado tjetër që e ndërlidh shërbimin civil. Është krijuar një opinion publik që nuk punohet në institucione publike, që paguhen shumë e punojnë pak. Ne kemi në institucione publike zyrtar me koeficient 4 ose 5 e që nuk i marrin as 300 euro dhe duhet të punojnë 8 orë në ditë siç i kemi pylltarët dhe kategoritë e ngjashme”, ka thënë Sefaj.