Shefja e misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EU EOM) në Kosovë, Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian, nisi zyrtarisht misionin sot gjatë një konference për media në Prishtinë.Ajo njoftoi se, pas ftesës nga Presidentja Vjosa Osmani drejtuar BE-së për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, misioni do të shpërndajë në terren 18 vëzhgues afatgjatë të zgjedhjeve për t’i mbuluar të gjitha komunat e Kosovës.
Ekipi bazë i misionit prej nëntë analistësh filloi punën në fillim të këtij muaji kur arriti në Prishtinë më 8 janar.
“Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 janë moment me rëndësi për Kosovën, duke shfaqur pluralitetin e peizazhit politik të Kosovës. Prania e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE në terren synon të kontribuojë në një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, duke u lejuar votuesve të Kosovës të shprehin zgjedhjet e tyre. Kjo gjithashtu nënvizon mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Kosovën për të fuqizuar më tej qeverisjen demokratike”, tha Loiseau.
Ndër të tjera, ajo tha se do të shpërndahen në terren nëntë ekipe të vëzhguesve afatgjatë, që punojnë në çifte, meshkuj dhe femra, në mbarë Kosovën.Sipas saj, ata do të vlerësojnë fushatën dhe përgatitjet për zgjedhje në të gjitha komunat. Ajo tha se vëzhguesit afatgjatë janë të rëndësishëm për misionin për vëzhgimin e zgjedhjeve të BE-së për të kryer një vlerësim të plotë dhe gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor, në përputhje me metodologjinë standarde të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve.





