Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se komunat si Peja, Gjakova e Prizreni do të jenë vende ku do të zhvillohen Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare (KOLM) ka mbajtur takimin e radhës, ku janë diskutuar drafti i Masterplanit, projektet prioritare dhe vazhdimi i përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Kurti ka bërë të ditur se në takim është riafirmuar se Lojërat do të organizohen sipas shtrirjes së paraparë në Librin e Kandidaturës, duke përfshirë edhe komunat e tjera jashtë Prishtinës.
“Peja, Gjakova, Prizreni, Drenasi dhe Skenderaj, bashkë me komunat e tjera, kanë qenë pjesë e propozimit të Kosovës që nga aplikimi. Pikërisht me këtë koncept Kosova e fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se shtrirja e garave në këto komuna dhe shfrytëzimi i objekteve sportive do të pasqyrohen në rishikimin e draftit të Masterplanit, i cili ende është në shqyrtim.
Në këtë planifikim do të përfshihen edhe investimet që janë duke u realizuar në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, palestrën “Sezai Surroi” në Prizren dhe palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.
“Këto investime mbështesin zhvillimin e sportit nëpër komuna dhe mbeten në shërbim të sportistëve edhe pas përfundimit të Lojërave”, ka theksuar Kurti.
Në takim është diskutuar edhe për vazhdimin e punës në projektet prioritare, përfshirë Qendrën e Studentëve, e cila do të shërbejë si Fshat i Atletëve, Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, Qendrën Akuatike dhe Qendrën Nacionale të Tenisit.
Kurti ka bërë të ditur se është ritheksuar edhe rëndësia e Stadiumit Nacional si projekt shtetëror për zhvillimin e sportit në Kosovë.
Ndërkohë, në kuadër të përgatitjeve për ceremonitë e hapjes dhe mbylljes, është shqyrtuar mundësia e shfrytëzimit të stadiumit “Fadil Vokrri”, me kapacitet të shtuar. Për këtë çështje do të vlerësohen kërkesat organizative dhe afatet e nevojshme për përgatitjen e stadiumit.
Në fund të takimit është dakorduar që KOLM të paraqitet me një qëndrim të përbashkët në takimin e ardhshëm me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, ku do të prezantohen hapat e mëtejmë të përgatitjeve.
“Anëtarët shprehën njëzëri përkushtimin për organizimin e suksesshëm të Lojërave, duke theksuar rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e sportit, përmirësimin e infrastrukturës dhe promovimin ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë Kurti.