Komuna e Prizrenit nga dita e hëna, 2 nëntor 2026, fillon zbatimin e programit të subvencionimit të transportit urban, përmes të cilit synohet që disa kategori të qytetarëve të përfitojnë udhëtim falas me autobusë urbanë.
Sipas njoftimit të Komunës, subvencionimi do të bëhet në vlerë prej 1.20 euro për kilometër, për një periudhë pesëvjeçare, me mundësi vazhdimi.
Përmes këtij programi, Komuna do të mbështesë financiarisht operatorin e transportit publik, me qëllim të mundësimit të udhëtimit pa pagesë për kategoritë përfituese.
Në mesin e kategorive që do të përfitojnë nga ky program janë personat e dalë nga lufta dhe familjarët e tyre, pensionistët, personat me aftësi të veçanta, policët, pjesëtarët e ushtrisë, zjarrfikësit, punëtorët e arsimit, shërbyesit civilë, si dhe nxënësit dhe studentët.
Ndërkaq, gjatë javës së ardhshme, qytetarët do të kenë mundësi të pajisen me kartela përkatëse në zyrat përgjegjëse, varësisht nga kategoria së cilës i përkasin.
Komuna ka bërë të ditur se qytetarët do të informohen në vazhdimësi për procedurat dhe mënyrën e pajisjes me kartela.
Ky program synon të lehtësojë shpenzimet e udhëtimit për qytetarët, të përmirësojë shërbimet e transportit publik, të zvogëlojë ngarkesën në trafik dhe të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit, thuhet në njoimin e Komunës së Pzrnit.
