Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje më 30 tetor, pesë ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt – rast që nxiti protesta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale.
I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse veprimi i tij lidhet me trajtimin institucional të këtij rasti, Hoxha tha se “lidhet me dorëheqje morale”.
Megjithatë, ai nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse me këtë nënkupton se ndien përgjegjësi për lëshimet institucionale në trajtimin e rastit.
Më herët gjatë ditës, Zyra e Kryeministrit njoftoi se Albin Kurti kishte pranuar dorëheqjen e Hoxhës dhe e kishte liruar atë nga detyra.
Me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryeministri Kurti caktoi Fehmi Hotin ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon kontributin dhe angazhimin e z. Hoxha përgjatë mandatit të tij”, u tha në njoftim.
Qeveria nuk dha arsye për dorëheqjen e Hoxhës.
Largimi i tij vjen në kohën kur institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë po përballen me kritika për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj./REL/