Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka përgëzuar Policinë e Kosovës për “kalimin e rrjedhshëm të mijërave serbëve të Kosovës nëpër pikë kalimet kufitare mes Kosovës e Serbisë të dielën”.
Këtë vlerësim Wigemark e ka bërë gjatë mbajtjes së ceremonisë së flamurit të Njësitit rezervë të Policisë së Specializuar të EULEX-it.
“Shpreh vlerësimin tim për bashkëpunimin afatgjatë me kolegët tanë nga Policia e Kosovë dhe nga KFOR-i si reagues të parë dhe të tretë të sigurisë”, tha Wigemark.
“Kjo është hera e parë që ne kemi kërkuar forca rezervë për të mbështetur NjPS-në tonë në rolin e saj si reagues i dytë i sigurisë, që është pjesë e sistemit mjaftë unik treshtresor të reaguesve të sigurisë në Kosovë”.
Ndryshe, rreth 11 mijë serbë shkuan nga Kosova për të votuar në zgjedhjet e 3 prillit në Serbi.
Pushteti lokal i komunave në veri të Kosovës organizoi udhëtim me autobusë për qytetarët që deshën të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në Serbi, ndërsa disa të tjerë u nisën me vetura private.