Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, në përfundim të mandatit të tij, ka vlerësuar se Kosova ka shënuar përparim në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, por ka paralajmëruar se kriza e zgjatur politike dhe mungesa e institucioneve të reja paraqesin rrezik për funksionimin demokratik të vendit.
Duke folur për bllokadën politike pas zgjedhjeve, në një intervistë për KosovaPress, shefi i EULEX-it theksoi se Kosova ka nevojë sa më shpejt për institucione të reja. Derisa fjalë të mira pati për procesin e fundit zgjedhor , për të cilin tha se është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe demokratike.
“Procesi është zhvilluar në një atmosferë të qetë dhe ka mundësuar ushtrimin demokratik të votës pa ndonjë incident të rëndësishëm që do të ndikonte në siguri apo në mënyrën demokratike të konsultimit me elektoratin… Nevoja për një qeveri të plotë dhe funksionale është garanci për çdo përparim të mëtejshëm në Kosovë, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Prandaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme, për të mirën e të gjithë qytetarëve, të gjitha aktiviteteve në Kosovë dhe të ekonomisë, që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi dhe të formohet qeveria. Natyrisht, kjo kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve politikë. Tashmë është e nevojshme të tejkalohen ndarjet ekzistuese, duke pasur parasysh përgjegjësitë kushtetuese që secili aktor mban dhe duke ndryshuar qasjen që ka karakterizuar këtë krizë politike tashmë tepër të gjatë”, tha Barbano.





