Zyra e Prokurorit në Qarkut të Mesëm të Floridës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se po i ndjek procedurat e ekstradimit të Liridon Masuricës, 33-vjeçarit nga Kosova, që u arrestua në Gjilan nën dyshimin për organizim të tregut kriminal online “BlackDB”.
Më herët gjatë ditës Prokuroria Speciale njoftoi se Policia e Kosovës dhe Byroja Federale e Hetimeve në SHBA kryen kontrolle në Prishtinë dhe Gjilan për hetimin e rasteve “Rydox” dhe “BlackBD” me ç’rast u arrestuan tre persona.
E në një komunikatë të Prokurorit amerikan, Roger B. Handberg, pas njoftimit për arrestimin e Masuricës është bërë e ditur që “autoritetet amerikane po ndjekin procedurat e ekstradimit në SHBA, ndërmjet traktatit për ekstradim në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës”.
Masurica akuzohet për mashtrime me pajisje aksesi të rreth 15 pajisjeve. Nëse dënohet për të gjitha akuzat, ai përballet me dënim maksimal prej 55 vjetësh burgim.
Sipas aktakuzës, Masurica ishte administrator i tregut kriminal në internet “BlackDB.cc”, e që funksionon nga viti 2018. Ky treg ka vënë në shitje jashtëligjshëm të dhëna të llogarive dhe serverëve të thyer, të dhëna të kredit-kartelave të personave në SHBA, përfshirë ata të Floridës./KOHA