Deri te anulimi i seancës ka ardhur për shkak se pas përjashtimit të mbrojtësit të të pandehurit, avokatit Besnik Berisha, i pandehuri nuk ka mbrojtës tjetër.
Një gjë të tillë, për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti.
“Si rezultat i përjashtimit të mbrojtësit të tij, i njëjti nuk ka mbrojtës tjetër andaj nuk ka kushte për mbajtjen e seancës”, tha Zhuti.
Ndryshe, me 28 qershor 2021, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Husaj-Rugova, e ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga mbrojtja e Shaban Gogaj.
Kjo pasi, avokati Berisha i ishte drejtuar trupit gjykues me fjalët “paragjykues të çështjes penale”.
Fillimisht, për këtë ai është dënuar me 500 euro gjobë, për çka, avokati Berisha nuk ka ngelur i befasuar e duke u shprehur me fjalët “shyqyr që ekzistojnë shkallët e tjera”.
Pas kësaj, gjykatësja Husaj-Rugova mori aktvendim për përjashtimin e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me dënimin me gjobë dhe përjashtimin e avokatit Besnik Berisha nga mbrojtja e të akuzuarit Shaban Gogaj, nuk është pajtuar Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), ku kjo e fundit e ka cilësuar këtë vendim, cënim të nderit dhe profesionit të avokatisë.
Në arsyetimin e vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykatësja Violeta Husaj-Rugova nuk kishte përfshirë në procesverbal të gjitha deklarimet e bëra në atë seancë.
Si rrjedhojë e kësaj, Këshilli Drejtues ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJ), të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit të Gjykatës së Pejës për dënimin dhe përjashtimin e avokatit Besnik Berisha.
Përveç kësaj, Këshilli ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës së Pejës, Armend Berisha, që përveç vlerësimit të vendimeve, të bëjë edhe inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjykatësës Violeta Husaj-Rugova.
Ndërsa sipas Këshillit Drejtues, deri në përfundimin e hetimeve disiplinore ndaj avokatit Berisha nga prokurori disiplinor i OAK-së, nuk do të bëjë caktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare ndaj të pandehurit Shaban Gogaj, në rast të kërkesës nga Gjykata Themelore në Pejë.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, gjegjësisht kryetari Armend Berisha ka refuzuar kërkesën e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK) që të inicojë procedurë disiplinore ndaj gjykatëses Violeta Husaj-Rugova.
Sipas burimeve brenda gjykatës, “Betimi për Drejtësi” merr vesh se Gjykata e Pejës nuk e ka gjetur të bazuar kërkesën për inicim disiplinor dhe rishqyrtim të vendimit për përjashtimin e avokatit Berisha dhe si rrjedhojë, kjo kërkesë është refuzuar si e pabazuar.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohet për vrasje të rëndë, se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve Agzon Hadërgjonaj dhe Faruk Zukaj.
Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri merr një telefonatë nga e cila bisedë shihet se është dukshëm i acaruar dhe posa e përfundon këtë bisedë, i pandehuri nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në një tjetër që gjendej në mes të banakut, lakohet dhe nxjerr nga sirtari i fundit në anën e djathtë të tij revolen e tipi “Beretta”, vendos karikatorin dhe e repeton të njëjtën, e merr në shenjë tani të ndjerin Tetaj.
Në aktakuzë thuhet se tani ndjeri në ato momente ishte në mes të dy dëmtuarve tjerë dhe i pandehuri qëllon një herë në drejtim të tij dhe e kthen armën ku e kishte marr, më pas menjëherë çohet nga karrigia, me ç’rast për pasojë i dëmtuari merr plagë në kokë, ku si rrjedhojë pëson vdekje të menjëhershme.
Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, më 23 shtator 2019, rreth orës 14:50 në Deçan, në shitoren “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armë dhe atë pistoletën e tipit “Bloë TR 92”, e kalibrit 9mm, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.
Kurse, sipas aktakuzës që ishte ricilësuar më 16 mars 2021, nga prokurori Agon Uka, Shaban Gogaj akuzohej se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:05:31, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, në kompaninë “Gogaj Ag”, nga pakujdesia i pandehuri Gogaj, e privon të ndjerin nga jeta, Agonis Tetaj.
Sipas ricilësimit, gjersa i pandehuri ishte duke komunikuar në telefon me Natyra Melaj, vajzën e hallës rreth shkuarjes së tij në bjeshkë, duke e porosit që të merrte gjësende ushqimore, posa e përfundon këtë bisedë, e lëshon telefonin në tavolinë, nga karrika në skajin e majtë të banakut ku ishte ulur, kalon në karriken tjetër që gjendet në mes të banakut, lakohet duke shikuar në anën e djathtë kah dritaret në drejtim të rrugës dhe nxjerr nga sirtari i tretë i anës së djathtë, revolen e llojit “Beretta”, Model 92 FS, e vendos karikatorin në armë, e reperton të njëjtën dhe shkrep një herë në drejtim të, Asgan Hadërgjonaj, Agonis Tetaj e Faruk Zukaj, të cilët kanë qenë në distancë rreth 70 cm në mes vete, ndërsa në raport me të pandehurin distance ka qenë 4-5 metra,
Nga kjo shkrepje, sipas prokurorit Uka, goditet tani i ndjeri Agonis Tetaj në mollëzën e djathtë të fytyrës, e pas këtij veprimi i akuzuari kthen armën ku e ka marrë duke e kap kokën me dy duart, duke menduar se ka shkrep me armën me gaz, për të cilën paraprakisht e ka njoftuar xhaxhi i tij, Isuf Cacaj, se arma me gaz ndodhet aty.
Sipas aktakuzës që ishte ricilësuar nga prokurori Uka, i akuzuari këtë veprim nuk e ka dëshiruar as pasojën e shkaktuar, përkatësisht pasoja shkaktohet kundër vullnetit të tij, si rezultat i moskujdesit apo indiferencës apo jo seriozitetit të tij, ashtu që përkundër përpjekjeve për ofrimin e ndihmës, tani të ndjerit Agonis, i njëjti nuk ka mundur të mbijetoj plagës.