ARGËTIM

Sezoni i festivaleve në Prizren fillon nesër me Bunarfest

Sezoni i festivaleve në Prizren fillon nesër me Bunarfest
TV Prizreni
TV Prizreni
29 Maj 2026, 11:20

Sezoni i festivaleve në Prizren do të hapet këtë fundjavë me edicionin e 22-të të festivalit tradicional Bunarfest, një nga ngjarjet më unike dhe më të veçanta verore në qytet. Festivali do të mbahet më 30 dhe 31 maj dhe sjell aktivitete të shumta kulturore, muzikore dhe sportive.

Bunarfest njihet për garën karakteristike të lëshimit me goma traktori në lumin Lumbardh, aktivitet që çdo vit tërheq pjesëmarrës dhe vizitorë të shumtë nga vendi dhe jashtë tij.

Ndërkaq, kjo fundjavë simbolizon edhe fillimin e sezonit të festivaleve në Prizren, qytet i njohur për atmosferën kulturore dhe organizimet e shumta gjatë periudhës verore.

Festivali do të nisë me aktivitetin ndërgjegjësues për pastrimin e lumit Lumbardh, me synim rritjen e vetëdijes qytetare për mbrojtjen e mjedisit dhe lumenjve. Ky aktivitet do të mbahet të premten, më 30 maj, duke filluar nga ora 11:00, me pikëtakim te Ura e Marashit, nën moton “Lum na për lumin!”. Pjesëmarrja është vullnetare dhe e hapur për të gjithë qytetarët.

Mbrëmja e së premtes do të vazhdojë me koncert muzikor në hapësirën e Autostradës Hangar në ITP (Innovation and Training Park), duke filluar nga ora 21:00. Në skenë do të performojë bendi nga Shqipëria “The Rituals”, i njohur për ndërthurjen e instrumenteve tradicionale me tinguj elektronikë dhe performancë live. Programi muzikor do të përmbyllet nga DJ “La Baresha” nga Prishtina, e cila do të sjellë atmosferë festive me setin e saj muzikor.

Sa i përket aktivitetit kryesor të festivalit, garës së lëshimit me goma në lumin Lumbardh, organizatorët kanë bërë të ditur se aplikimet për pjesëmarrje janë mbyllur pas interesimit të madh që ka tejkaluar numrin e paraparë të garuesve.

Sipas organizatorëve, edicioni i sivjetmë pritet të shënojë numër rekord pjesëmarrësish, me mbi 80 garues nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës, të cilët do të përjetojnë emocionet dhe adrenalinën unike që ofron Bunarfest.

Agjenda e plotë e festivalit:

E shtunë, 30 Maj
11:00 Pastrimi i lumit Lumbardhi

21:00 Koncert nga bendi “The Rituals” dhe DJ “La Baresha”

E diel, 31 Maj

13:00 Gara e lëshimit me goma
14:30 Ceremonia e medaljeve
15:00 Afterparty në Kej

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika