Prizreni do të pushtohet nga muzika dhe kultura në një ngjarje të veçantë që synon të fuqizojë paqen dhe bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve.
Përmes një njoftimi organizata THY ju fton të jeni pjesë e dy projekteve të rëndësishme të financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që do të zhvillohen në qytet gjatë datave 19-21 qershor 2025, duke sjellë një atmosferë të veçantë artistike dhe edukative.
Në kuadër të projektit Rock n’Road, qyteti do të përjetojë një ekspozitë të muzikës në hapësira publike, ku artistë nga Kosova dhe Gjermania do të performojnë në një koncert të hapur më 20 qershor në Shkollën e Muzikës “Lorenc Antoni”.
Një tjetër ngjarje e veçantë është P(e)acing Together, e cila do të përfshijë trajnime, punëtori dhe aktivitete kreative që ndërtojnë ura bashkëpunimi mes të rinjve nga rajoni.
Më 21 qershor, ora 19:00, qyteti do të ndjehet në ritmin e muzikës së lëvizshme, me një koncert unik në mjet lëvizës – kamionë, ku muzikantët do të performojnë duke lëvizur në rrugët kryesore të Prizrenit, duke nisur nga rruga “Wesley Clark” deri tek Qendra Sportive “Sezai Surroi”.
“Këto aktivitete janë pjesë e përpjekjeve për të ndërtuar një shoqëri më të hapur, tolerantë dhe të lidhur përmes artit, kulturës dhe bashkëpunimit rajonal”-thuhet në njoftim.
OJQ THY ju fton t’i bashkoheni këtij fluksi artistik, duke ndarë energjinë pozitive dhe duke kontribuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndjeshme dhe të bashkuar për të gjithë komunitetin.