Kompania serbe e fluturimeve “Air Serbia” ka njoftuar se do të ulë në tetë numrin e fluturimeve Beograd – Moskë dhe anasjelltas, aq sa ishte para se të shpërthente lufta në Ukrainë, ka njoftuar portali i pavarur serb “N1” të mërkurën.
Pas sanksioneve ndaj Rusisë, kompanive të këtij vendi iu ndalua fluturimi mbi qiellin e shumicës së shteteve evropiane. Dhe, “Air Serbia” shfrytëzoi rastin e mori edhe linjat e kompanisë rusë “Aeroflot”, duke e çuar në 15 numrin e fluturimeve Beograd – Moskë dhe anasjelltas brenda javës.
Por kjo nxiti reagime të mëdha, sidomos të mediave perëndimore që bënë presion të vazhdueshëm. Më herët gjatë ditës, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur për uljen e numrit të fluturimeve me Moskën në tetë, aq sa ishte para se të niste lufta në Ukrainë.





