Një protestë tjetër është paralajmëruar për t’u mbajtur sot para objektit të Qeverisë së Kosovës.
Duke filluar nga ora 11:00 disa serbë pritet që të mblidhen para Qeverisë së Kosovës me një kërkesë të vetme.
Të njëjtit kanë kërkuar takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, si dhe ministrin serb, Goran Rakiq, për të diskutuar lidhur me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë, raporton lajmi.net.
Lidhur me këtë protestë tashmë janë informuar edhe organet përgjegjëse të rendit në vend.
Ndryshe një paralajmërim i tillë ishte bërë ditë më parë edhe nga lideri i iniciativës qytetare serbe “Mbijetesa Serbe”, nga Mitrovica e Veriut.
Drejtuesi i saj, Aleksandar Arsenijeviq ka paralajmëruar se me datë 7 shkurt 2022 rreth orës 11:00, së bashku me disa aktivistë të tij do të jenë para Qeverisë së Kosovës dhe do të kërkojnë që kryeministri Kurti t’i pranojë në takim.
Tutje është thënë se kërkesa e tyre nga ky takim është për problemet e mundshme në rast se nuk lejohet që të mbahen zgjedhjet parlamentare serbe të paraparë më 3 prill.
Arsenijeviq tha se nuk do të heqë dorë nga synimi i tij për të organizuar, me të gjithë faktorët relevant, “një lloj dialogu për çështje kyçe dhe vendimtare që mundojnë njerëzit e zakonshëm nga komuniteti serb në Kosovë”.
Duhet përkujtuar që serbët kishin kërkuar që t’u mundësohej të votonin në Kosovë për Referendumin Kushtetues.
Një gjë e tillë nuk është lejuar nga institucionet e Kosovës, kurse serbët e kanë pasur të mundur që të udhëtojnë me organizime të ndryshme përmes autobusëve në Vranje, Kurshumli dhe vende të tjera të Serbisë ku edhe kanë kryer obligimin e tyre për votë.
Kërkesa për të lejuar këto votime në Kosovë erdhi edhe nga të huajt, por si përfundim një gjë e tillë nuk u bë.
Ndryshe më 14 janar, pas takimit që krerët e institucioneve më të larta të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti kanë mbajtur me ambasadorët e Quint-it, ata kanë thënë se “praktikat e deritanishme, të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese” dhe se ato “nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës”, të dala nga “vullneti i qartë i qytetarëve”, i shprehur në zgjedhjet e 14 shkurtit, 2021.
“…aq më tepër kur këto praktika kanë rezultuar vetëm me fuqizimin e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë”, kanë thënë në deklaratën e përbashkët tre udhëheqësit e institucioneve të larta të Kosovës.