Senatori amerikan, Dick Durbin ka thënë se propozimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që kampi Bondsteel të shndërrohet në një bazë të përhershme ushtarake amerikane, “duhet të shqyrtohet seriozisht”.
Ai tha se Qeveria e Kosovës “ka propozuar një marrëveshje financiare” për këtë çështje dhe se ajo nuk do të përbënte ndonjë “sakrificë të madhe parash”.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Pentagonit dhe Qeverisë së Kosovës për detaje nga ky propozim, nuk ka marrë ende përgjigje.
Durbin tregoi se gjatë takimit më 12 tetor me Kurtin në Prishtinë, kryeministri i kishte shoqëruar senatorët në zyrën e tij dhe u kishte treguar një hartë të Kosovës, për t’ua paraqitur rreziqet e sigurisë në afërsi të saj.
“Ne duam që të gjithë të jenë të sigurt dhe në paqe, dhe mendoj se prania e KFOR-it këtu e ka kryer mirë këtë detyrë”, tha ai.
Kampi Bondsteel, që ndodhet pranë Ferizajt, është baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan. Kurti e ka përsëritur disa herë propozimin që ky kamp të bëhet bazë e përhershme amerikane, duke e lidhur atë me paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë në rajon.
Ndërkohë, më 13 tetor, Ushtria amerikane njoftoi ndryshime në përbërjen e trupave të saj në Kosovë, duke zëvendësuar pjesëtarët e Gardës Kombëtare me forca nga Regjimenti i 2-të i Kalorësisë dhe Divizioni i 1-rë i Këmbësorisë.
Sipas njoftimit, ky rotacion është pjesë e përpjekjeve të NATO-s për ta përshtatur misionin e KFOR-it me përmirësimin e kushteve të sigurisë në Kosovë dhe me strategjinë e re, të njohur si “NATO 3.0”, sipas së cilës aleatët evropianë do të marrin përgjegjësinë kryesore për sigurinë.
Ushtria amerikane theksoi se mbështetja e saj për KFOR-in do të vazhdojë pa ndërprerje, por nuk saktësoi nëse ndryshimet do të ndikojnë në numrin e ushtarëve amerikanë në Kosovë.
Ndërkaq, senatorët demokratë, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, po qëndrojnë në Kosovë – ku u takuan me presidenten Justina Shiroka Pula, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të Listës Serbe – gjatë një vizite në Ballkanin Perëndimor.
Vizita pasoi ndalesat e tyre në Sarajevë dhe Tiranë, ku diskutuan për sigurinë, stabilitetin dhe marrëdhëniet e SHBA-së me vendet e rajonit.
Duke folur për presidenten e re të Kosovës, senatori Durbin tha se ajo ka përpara detyrën e vështirë “për ta bashkuar vendin dhe për ta çuar atë përpara”.
“Procesi që ajo përballoi para se të merrej vendimi përfundimtar kërkoi vendosmëri dhe guxim. Ajo ka një detyrë të madhe për ta bashkuar vendin dhe për ta çuar atë përpara. Por mendoj se forca që tregoi gjatë këtij procesi do t’i japë asaj më shumë besueshmëri në Kosovë dhe në mbarë botën”, tha ai.