Bashkimi Evropian ka vlerësuar përparimin e Kosovës në fushën e doganave dhe tatimeve, por ka theksuar mungesën e përparimit në miratimin e ligjeve për reforma fiskale dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve institucionale. Këto çështje janë diskutuar në Bruksel, gjatë takimit të tetë të Nënkomitetit për Tregti, Industri, Dogana dhe Tatime, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Përfaqësuesit e Kosovës dhe të Komisionit Evropian kanë mbajtur të martën në Bruksel takimin e tetë të Nënkomitetit për Tregti, Industri, Dogana dhe Tatime, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), ku është diskutuar përparimi i Kosovës në këto fusha, si dhe nevoja për vazhdimin e reformave.
Sipas njoftimit të përbashkët për shtyp, palët janë pajtuar për rëndësinë e zbatimit të prioriteteve të Programit të Reformave Ekonomike, Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Agjendës përkatëse të Reformave, si dhe rekomandimeve nga Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2025.
Në njoftim thuhet se Kosova ka shënuar përparim në fushën e doganave dhe tatimeve, veçanërisht përmes zgjerimit të përdorimit të terminaleve doganore që menaxhohen nga institucionet publike, uljes së tarifave të terminaleve doganore, rritjes së mbledhjes së të hyrave dhe luftimit të mashtrimeve doganore.
Po ashtu, është vlerësuar forcimi i kapaciteteve të Doganës së Kosovës, ndërsa Komisioni Evropian ka mirëpritur planin e përditësuar të integritetit të këtij institucioni, duke kërkuar zbatimin e tij të plotë.
Sa i përket Administratës Tatimore, në njoftim bëhet e ditur se BE-ja ka konstatuar përparim në digjitalizimin e shërbimeve, gjë që ka përmirësuar ofrimin e tyre për bizneset dhe qytetarët.
Megjithatë, Komisioni Evropian ka theksuar mungesën e përparimit në miratimin e ligjeve, veçanërisht të atyre që parashohin reforma fiskale.
Në fushën e tregtisë, sipas njoftimit, është diskutuar edhe çështja e kapaciteteve të kufizuara brenda Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe agjencive të saj përgjegjëse për infrastrukturën e cilësisë.
“Kapacitetet e mjaftueshme në këto agjenci janë thelbësore për të siguruar angazhim efektiv në të gjitha çështjet që lidhen me tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik rajonal”, thuhet në njoftimin e përbashkët.
BE-ja ka përgëzuar Kosovën për ratifikimin e Protokolleve Shtesë të CEFTA-s 5, 6 dhe 7, që kanë të bëjnë me lehtësimin e tregtisë, liberalizimin e shërbimeve dhe zgjidhjen e kontesteve, duke shprehur pritshmërinë për zbatimin e tyre sa më të shpejtë.
Në fushën e politikave industriale dhe mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, BE-ja ka inkurajuar Kosovën të ndajë mjete të mjaftueshme financiare për zbatimin e Planit të Veprimit 2026–2028 të Strategjisë për Zhvillim dhe Mbështetje Industriale.
Sipas njoftimit, palët janë pajtuar se Kosova duhet të përshpejtojë themelimin e agjencive të reja për promovimin e eksportit dhe mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Funksionalizimi i këtyre agjencive, përveç mbështetjes së investimeve dhe sektorit privat, parashihet edhe si një nga hapat në zbatimin e Planit të Rritjes.
Komisioni Evropian ka mirëpritur gjithashtu hapat e ndërmarrë drejt harmonizimit të Ligjit për Vonesat në Pagesa në Transaksionet Tregtare me direktivën përkatëse të BE-së.
Ndërkaq, në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave, diskutimet janë përqendruar në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian.
Në njoftim theksohet se Komisioni ka konstatuar hyrjen në fuqi të Ligjit për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, si dhe miratimin e akteve të fundit nënligjore për zbatimin e Ligjit për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve.
“Komisioni i kërkoi Kosovës të miratojë ligjet e reja për metrologjinë dhe akreditimin dhe të zbatojë Ligjin e ri për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut”, thuhet në njoftim.
Në fund të njoftimit sqarohet se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është korniza përmes së cilës BE-ja dhe Kosova diskutojnë çështjet teknike dhe politikat që lidhen me reformat evropiane.
Takimet e nënkomiteteve shërbejnë për monitorimin e realizimit të reformave në Kosovë, identifikimin e mundësive të mbështetjes nga BE-ja dhe përcaktimin e veprimeve të mëtejshme që duhet të ndërmerren nga institucionet e Kosovës.