Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat është shprehur e zhgënjyer me institucionet e vendit, duke thënë se nuk po e diskutojnë më projektligjin për pagën minimale, ndonëse i njëjti ka kaluar në lexim të parë, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi thotë se projektligji për pagën minimale nuk ka lëvizë fare, përçka fajtor e bën ekzekutivin. E sa i përket arsyetimit se veteranët e luftës së UÇK-së janë pengesë për mosshtyrje përpara të këtij projektligji, Azemi ka ofruar një zgjidhje.
“Projektligji për pagën minimale ka mbetur aty ku e kanë lënë edhe para 12 vjetësh, ku e kanë lënë në vitin 2011. Në fakt në Kuvend ka kaluar në leximi i parë, është pritur që të bëhet edhe leximi i dytë, por nga paaftësia e Qeverisë nuk mund të kalojë”, thotë Azemi. “Nëse kanë telashe, sepse paga minimale është e lidhur me pagën e veteranëve të luftës, kemi ofruar një zgjidhje për të cilën kemi thënë që punëtorët e sektorit privat të Kosovës të paguhen në bazë të orëve që punojnë dhe jo në bazë të ligjit”, thotë tutje Azemi për EO.
Këto vonesa për ish-kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, po duken të paarsyeshme. Ai thotë se fati i pagës minimale nuk duhet të mbetet te veteranët.
“Nuk duhet fati i pagës minimale gjithmonë të jetë arsyetim që kinse ka veteranë të shumtë dhe ata do të jenë të paguar apo ata do të jenë një ngarkesë”, tha Gërxhaliu.
Ai thotë se Kosova do të përballet me një “pandemi demografike”, duke thënë se shkaku i pagës së ultë, të rinjtë po ikin jashtë shtetit. “Por e kam frikën më të madhe për pandeminë demografike e cila e ka kapluar Kosovën dhe për fat të keq politikbërësit në Kosovë nuk janë duke pa. Rinia po ikë, Kosova po zbrazet dhe kjo është fitorja më e madhe e dashakeqëve të Kosovës dhe armiqve të saj historikë që vërtetë kanë bërë çmos që Kosova të zbrazet”, thotë Gërxhaliu për EO.
Nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, muajin e kaluar ishte thënë për KOHËN se vonesa është e lidhur me një konsensus që po kërkohet të arrihet me veteranët e luftës.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, që është anëtar i Komisionit për buxhet, kishte thënë për KOHËN se pikërisht pajtimi me veteranët është arsyeja pse nuk është bërë procedimi i ligjit në lexim të dytë.
“Vonesa lidhet me një konsensus që ne kërkojmë ta arrijmë me veteranët e luftës e që shpresoj që kjo do të vijë shumë shpejt në diskutim dhe në sjelljen e ligjit në lexim të dytë, sepse është në interes të përgjithshëm”, ka thënë Korenica./koha.net/