Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), të hënën do të mbajë takim me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve, që janë përfaqësues të anëtarësisë.
Siç njofton SBASHK-u, në këtë takim do të bashkëbisedohet për gjendjen aktuale në arsim, për problemet lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor, dhe për vendimin siç thuhet “skandaloz të MASHTI-it për tekstet shkollore” e për shumë çështje të tjera.
“Në këtë takim do të bashkëbisedohet për gjendjen aktuale në arsim, për problemet lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor, për vendimin skandaloz të MASHTI-it për tekstet shkollore e për shumë çështje të tjera”, thuhet në komunikatën për media.
Takimi mbahet të hënën, më 28 gusht, në orën 10, në sallën e takimeve në Qendrën e studentëve, te selia e SBASHK-ut.
Ndryshe, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka njoftuar të enjten se dikasteri që udhëheqë do të subvencionojë prindërit për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit.
Ndërkaq të premten, në platformën online të Qeverisë së Kosovës, E-Kosova, është hapur linku ku prindërit mund të aplikojnë për sigurimin e të hollave për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët e tyre.
Nagavci ka bërë të ditur se për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë do të ndahen nga 80 euro, ndërsa për ata nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë nga 30 euro. /Telegrafi/