Rutte: Kosova partner i rëndësishëm i NATO-s, prioritet mbetet forcimi i KFOR-it

Ai theksoi se fokusi aktual i NATO-s mbetet ruajtja e stabilitetit dhe garantimi i një pranie efektive të misionit paqeruajtës të KFOR-it.
I pyetur nëse Kosova mund të bëhet pjesë e NATO-s në të ardhmen, çfarë hapash duhet të ndërmarrë për ta arritur këtë dhe nëse Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të vazhdojë të mbështetet nga Aleanca, Rutte tha se statusi i Kosovës paraqet një sfidë për shkak se disa vende anëtare të NATO-s ende nuk e njohin pavarësinë e saj.
Ai nënvizoi se, sipas vlerësimeve të NATO-s, situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Për këtë arsye, NATO ka vendosur që numri i trupave të KFOR-it të rikthehet në nivelet që kishte para vitit 2023.
Sipas shefit të Aleancës së Veriatlantike, aktualisht në Kosovë janë të dislokuar rreth 4.700 ushtarë të KFOR-it, ndërsa në varësi të zhvillimeve në terren, prania e misionit pritet të mbetet e konsiderueshme, me rreth 3.000 deri në 3.500 trupa.
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.




