Kosova nuk është në luftë, por kërcënimet që po shqetësojnë Evropën mund të mos e anashkalojnë as atë.
Me mijëra trupa të NATO-s në territorin e saj, tensione të vazhdueshme me Serbinë dhe infrastrukturë kritike që tashmë ka qenë objekt sulmesh, vendi përballet me rreziqe që nuk marrin domosdoshmërisht formën e një përballjeje ushtarake.
Në pjesë të tjera të Evropës, ato janë shfaqur përmes sabotimeve, sulmeve kibernetike dhe operacioneve të fshehta, të cilat janë shtuar që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, në vitin 2022.
Autoritetet evropiane kanë hetuar një varg incidentesh, disa prej të cilave janë lidhur me shërbimet ruse të inteligjencës.
Në shënjestër kanë qenë rrjetet e transportit, institucionet shtetërore dhe kompanitë që furnizojnë Ukrainën me pajisje ushtarake.
Përmes këtyre veprimeve, Moska – e cila vazhdimisht e mohon përfshirjen – dyshohet se synon të pengojë mbështetjen për Kievin dhe të krijojë pasiguri në vendet perëndimore, pa hyrë në një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak me to.
Sipas një analize të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), numri i sulmeve dhe planeve për sulme me pasoja fizike në Evropë, të identifikuara si të lidhura me Rusinë, është rritur nga vetëm tri në vitin 2022 në 34 në vitin 2024.
Rritja e këtyre incidenteve ka nxjerrë në pah edhe vështirësitë e parandalimit të tyre.
Një analizë e Këshillit Atlantik, e publikuar në fillim të tetorit, vlerëson se NATO-ja ka forcuar mbrojtjen ushtarake, por ende ka vështirësi në frenimin e operacioneve që mbeten nën pragun e një konflikti të hapur.
Problemi nuk qëndron vetëm te parandalimi i sulmeve, por edhe tek identifikimi i atyre që qëndrojnë pas tyre dhe përcaktimi i mënyrës së reagimit.
“Përgjigjet e NATO-s dhe të vendeve anëtare kanë qenë kryesisht reaktive dhe mbrojtëse. Ato janë përqendruar në zbulimin dhe kundërshtimin e provokimeve të caktuara, por nuk kanë arritur të dëshmojnë aftësi efektive për t’i frenuar ato”, thuhet në analizë.
Përtej dëmeve materiale, operacionet e tilla mund të krijojnë frikë dhe pasiguri, duke i detyruar autoritetet të reagojnë ndaj incidenteve, përgjegjësit e të cilave shpesh mbeten të paidentifikuar.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi gjatë një vizite në Talin, muajin e kaluar, se reagimet e tepruara ndaj çdo incidenti mund t’i shërbejnë Moskës.
Ai ritheksoi, njëkohësisht, vendosmërinë e Aleancës për të mbrojtur territorin e vendeve anëtare.
“Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të aleatëve, pavarësisht nëse aty jetojnë njerëz apo jo, pavarësisht nëse ndodhet pranë Parisit, Talinit, Uashingtonit apo Otavës”, tha Rutte.
Nga një mesazh në Telegram te një akt sabotimi
Për të kryer një operacion sabotimi, nuk nevojiten domosdoshmërisht agjentë të trajnuar të inteligjencës.
Ndonjëherë, gjithçka mund të nisë me një mesazh në Telegram, një detyrë të thjeshtë dhe një pagesë prej disa qindra eurosh.
Fotografimi i një objekti, mbledhja e informacioneve apo një akt vandalizmi mund t’i besohet një personi pa përvojë, i cili pranon të veprojë kundrejt pagesës.
Kjo është një nga metodat që, sipas ekspertëve, përdorin shërbimet ruse të inteligjencës për të organizuar operacione në territorin evropian.
Kinga Redlowska, studiuese në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI), shpjegon se përmes kësaj taktike, organizatorët mund të angazhojnë njerëz me kosto të ulët, duke ruajtur distancën nga veprimet që kryhen në terren.
“Rusia përdor një taktikë shumë të lirë, por efektive, duke angazhuar ata që i quajmë agjentë të njëpërdorshëm. Operativët rusë rekrutojnë banorë të vendeve të Bashkimit Evropian ose të Britanisë, shpesh nga grupe të cenueshme, si studentë apo të papunë që kërkojnë të fitojnë para”, thotë Redlowska për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.