LAJME

Rolex 60 mijë euro, ar e ora luksoze – hajnat e maskuar godasin në Ferizaj, ua ndërrojnë drejtimin kamerave me një dru dhe zhduken me 93 mijë euro

Rolex 60 mijë euro, ar e ora luksoze – hajnat e maskuar godasin në Ferizaj, ua ndërrojnë drejtimin kamerave me një dru dhe zhduken me 93 mijë euro
TV Prizreni
TV Prizreni
1 Nëntor 2026, 11:16

Dy persona të maskuar, një dru për t’ua ndryshuar drejtimin kamerave të sigurisë dhe një shtëpi e boshatisur nga sendet më të çmuara. Kështu dyshohet se është realizuar një vjedhje e rëndë në fshatin Koshare të Ferizajt, ku hajnat kanë marrë një orë Rolex me vlerë të deklaruar prej 60 mijë eurosh, stoli ari dhe gjashtë ora të tjera dore. Dëmi i përgjithshëm, sipas pronarit, arrin në rreth 93 mijë euro.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se cak i vjedhjes ka qenë shtëpia e Z.K. 57 vjeçar, në rrugën “Bekim Murtezi”, ndërsa gjithçka ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, më 31 tetor.

Pronari dhe bashkëshortja e tij kishin dalë nga shtëpia rreth orës 18:00, pa e ditur se gjatë mungesës së tyre dy persona të maskuar do të hynin në pronë.

Kur u kthyen, rreth orës 20:40, i priste një pamje krejt tjetër. Xhami i derës së terasës ishte thyer, ndërsa sendet me vlerë nuk ndodheshin më aty.

Pronari e njoftoi menjëherë Policinë dhe më pas kontrolloi pamjet e kamerave të sigurisë, ku, sipas deklarimit të tij, kishte parë mënyrën se si dy të panjohurit kishin depërtuar në shtëpi.

Detaji më i pazakontë ishte mënyra se si hajnat kishin vepruar ndaj kamerave.

Sipas ankuesit, dy personat e maskuar kishin hyrë fillimisht në oborr dhe, me ndihmën e një druri, kishin ndryshuar drejtimin e kamerave të sigurisë.

Pasi kishin ndërhyrë te kamerat, dyshohet se kishin thyer me forcë xhamin e derës së terasës dhe kishin hyrë brenda.

Nga aty, sipas deklarimit të pronarit, ishin drejtuar te dhoma e gjumit, ku nga një sirtar kishin marrë stolitë e arit të bashkëshortes dhe disa ora dore./Sinjali/

Foto: Ilustrim

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika