Vrasja dhe dhuna ndaj grave po vazhdojnë të mos marrin dënimin e merituar nga institucionet tona të drejtësisë. Madje, kjo edhe pse janë bërë të gjitha ndryshimet në kornizën ligjore, e së fundi, gjatë vitit 2020 edhe futja e Konventës së Stambollit në Kushtetutën e Kosovës, e cila kërkon dënime meritore për ushtruesit e dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Kosova ende po dështon të ndëshkojë vrasësit e grave. Së fundi, më 3 shkurt 2021, Gjykata Themelore e Prizrenit e dënoi me 15 vjet burgim Ilir Haxhiajn, i cili në vitin 2019 e rrahu dhe e vrau bashkëshorten e tij, Hatije Dinën. Ai u dënua për veprën “lëndim i rëndë trupor”.
Për ta kundërshtuar këtë vendim, dhe për t’i ‘rikujtuar’ Gjykatës Themelore të Prizrenit se ky “lëndim trupor” i mori jetën Hatije Dinës, nën organizimin e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, dhjetra aktivistë protestuan sot me fillim nga ora 12:00, para Gjykatës Themelore të Prizrenit.





