Të dhënat nga tregtia e jashtme në Kosovë për muajin qershor 2025 tregojnë një përkeqësim të deficitit tregtar, i cili është rritur me 17,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deficiti ka arritur në 498,3 milionë euro nga 425,4 milionë euro në muajin qershor 2024.
Mbulueshmëria e eksportit ndaj importit mbetet e ulët, në vetëm 13,9%, që reflekton pabarazi midis vlerës së mallrave të eksportuara dhe atyre të importuara.
Në muajin qershor të këtij viti, eksporti i mallrave u rrit me 9,5% dhe importi me 16,0%, krahasuar me qershorin 2024, duke arritur përkatësisht në 80,4 dhe 578,7 milionë euro.
“Eksporti i mallrave në muajin qershor 2025 kishte vlerën 80,4 milion euro, ndërsa importi 578,7 milion euro, që është një rritje prej 9,5% për eksport, si dhe një rritje prej 16,0% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.”-thuhet në komunikatë.
Grupet kryesore të eksportit përkasin: 21,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13,0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, 12,5% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9,8% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; pijet dhe duhani; 6,7% e produktet minerale, etj.
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 14,0% e përbëjnë produktet minerale; 13,2% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 13,0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12,3% e përbëjnë mjetet e transportit; 8,6% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.
Mbi 27 milionë euro mallra për një muaj drejt BE-
Për një muaj mbi 27 milionë euro mallra u nisën drejt vendeve të Bashkimit Evropian
“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 27,6 milion euro, ose rreth 34,4% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 10,7%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9,4%), Italia (3,3), Holanda (3,2%), etj.”-tregon ASK.
Në anën tjetës, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 249,6 milion euro, ose 43,1% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 9,2%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,2%), Polonia (5,2%), Italia (4,7%), etj.
Kosova bleu mbi 82 milionë euro mallra nga vendet e CEFTA-s
Eksportet e Kosovës me vendet anëtare të CEFTA-s arritën në 36,9 milion euro, ose 45,9% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 12,2%.
Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (16,9%), Maqedonia e Veriut (15,5%), Mali i Zi (6,3%), Serbia (5,7%).
Importi i Kosovës nga vendet te CEFTA-s shenon rritje
“Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 82,7 milion euro, ose 14,3% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 28,1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (5,1%), Shqipëria (4,8%), Serbia (3,4%).”-njofton ASK.
Mbi 246 milionë importi i Kosovës nga matanë borës, kryesisht nga Kina e Turqia
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 15,9 milion euro, ose 19,8%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (11,3%) dhe Turqia (2,9%).
Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 246,4 milion euro, ose 42,6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (13,1%) dhe Turqia (12,6%).
Këto të dhëna u bënë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), publikimn lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin qershor 2025.