Brenda nëntë muajve vendi ynë kaloi në dy procese zgjedhore – zgjedhjet parlamentare të 9 shkurti dhe zgjedhjet lokale të 12 tetorit, balotazhi i të cilave do të mbahet më 9 nëntor, teksa gjasat janë të mëdha që në dhjetor të këtij vit të ketë edhe zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare në rast se nuk formohet qeveria e re.
Në Institutin Demokratik të Kosovës thonë shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme dëmton buxhetin e shtetit, derisa bëjnë të ditur se vetëm për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe ato lokale u shpenzuan miliona euro.
“Vetëm zgjedhjet e 9 shkurtit kushtuan rreth 9 milionë euro buxhetit të shtetit. Po ashtu zgjedhjet lokale të 12 tetorit mbi 6 milionë euro. Pra vetëm brenda këtij viti në një periudhë të shkurtër kohore janë shpenzuar rreth 15 milionë euro. Tendenca për shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme dëmton buxhetin”. Rreth 9 milionë euro shtesë do t’i kushtonin buxhetit këto zgjedhje”, tha Vullnet Bukaqku nga Instituti Demokratik.





