Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se aktivitetet terroriste të Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij kundër Kosovës nuk kanë pushuar edhe pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
Në Kuvendin e Kosovës, Rexhaj i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta rrisin presionin ndaj Serbisë në mënyrë që kjo e fundit ta ekstradojë Radoiçiqin në Kosovë.
“I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, të rrisin presionin ndaj Serbisë për ekstradimin e Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij në Kosovë, dhe të vihen para drejtësisë së Republikës së Kosovës. Për veprat e tyre terroriste dhe vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, përgjegjësinë do ta japin në Republikën e Kosovës”, u shpreh deputeti i LVV-së.





