Përfaqësuesja e Shoqatës së Profesionistëve të Lirë , Albana Jeminaj, ka folur për funksionimin e kësaj Shoqate e cila është themeluar këtë vit nga nismëtarë të fushave të ndryshme. Përfaqësuesja Jeminaj, thotë se “ Shoqata e Profesionistëve të Lirë në Kosovë është themeluar në muajin shkurt të këtij viti, pjesë e së ciles janë profesionistë të lirë si juristë, ekonomistë, publicistë dhe personalitete të fushave të ndryshme që veprojnë konform profesionit që ata ushtrojnë.
Pas themelimit, shumë shpejt jemi zgjeruar me anëtarë të rinj, pasi jemi zgjeruar në gjithë Ballkanin Perëndimor. Ne si Shoqatë, kemi për qëllim që të përmbledhim të gjitha grupet e punës duke përfshirë edhe institucionet më të larta arsimore siç janë Universitetet, dhe sëë shpejti me këto institucione do të bashkëpunojmë ngushtë për realizimin e shumë projekteve të rëndësishme nga BE.
Vlen të përmendet se në Shoqatën tonë, nuk janë të përfshira figura politike, por janë të angazhuar ekspertë nga fusha të ndryshme profesionale”, ka theksuar z. Jeminaj. Ajo më tej ka folur edhe për konferencën e parë që ka organizuar kjo Shoqatë me temën “Integrimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian – Imperativ i kohës”, konferencë kjo e organizuar në Prizren me datë 22 qershor.
“Ishte një takim tejet interesant, ku janë diskutuar tema me interes kombëtar nga personalitete të shquara akademike si prof. dr. Mazllum Baraliu e prof.dr Musa Limani, publicisti, Milaim Zeka, kryetari i Shoqatës së Profesionistëve të Shqipërisë, Fatjon Softa, dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Në këtë konferencë përmes kumtesave dhe diskutimeve është folur për mundësitë e komunikimit më të madh ndërmjet shteteve të Ballkanit, si dhe mbajtjes së një konference nga profesionistët e shteteve të këtij gadishulli, i cili meriton mbështetje më të madhe nga Bashkimi Europian”, ka thënë zonja Jeminaj.
Ajo ka thënë në fund se, Shoqata e Profesionistëve të Lirë, përmes aktiviteteve dhe projekteve të ndryshme, do të angazhohet maksimalisht në identifikimin dhe zgjidhjen e shumë çështjeve që janë në interes të qytetarëve dhe institucioneve të vendit tone dhe jo vetëm.
